Malli i importit po konkurron ndjeshëm prodhimin vendas. Vetëm në katër muajit e parë të këtij viti vendi ka blerë nga jashtë ushqime dhe pije me vlerë 47.3 miliardë lekë, ndërkohë që ka shitur vetëm 17.2 miliardë lekë ushqime, pije e duhan.
Shtimi i prezencës së importit në tregun vendas, ka ardhur si pasojë e shtimit të konsumit por nga ana tjetër edhe për shkak janë më të lira se prodhimi vendas.
Bazuar në raportin e INSTAT, çmimet e mallrave të importuara në tremujorin e parë të vitit ranë me 1.9%, në raport me vitin e kaluar. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, çmimet e industrisë përpunuese ranë me 1.8%, ku vetëm ato të përpunimit të ushqimeve ishin 2.5% më të lira, apo të produkteve të duhanit që ranë me 4.1%.
E kundërta po ndodh me prodhimin vendas i cili është shtrenjtuar me 2.8% në krahasim me janar-mars 2023. Me 7.2% u shtrenjtuar energjia elektrike dhe gazi, ndjekur nga industria nxjerrëse me 3,9%, më pas është furnizimi me ujë 1,8% dhe “Industri përpunuese” me 1,2%.
Vetëm përpunimi i produkteve ushqimore është shtrenjtuar me 4.1%, të duhanit me 4.5% dhe të prodhimit të pijeve me 3.8%. INSTAT raporton se më shumë janë shtrenjtuar që janë për konsum vendas se produktet e destinuara për import.
Pak ditë më parë në komisionin ekonomisë deputetët kanë kërkuar më shumë subvencione për bujqësinë, në mënyrë që të mos konkurrohet nga importi.
Inflacioni i brendshëm, gjatë këtij viti është vlerësuar disa herë nga Banka e Shqipërisë si rrezik për një tjetër rritje çmimesh për shkak se presionet e brendshme inflacioniste, mbeten të larta si rezultat i kërkesës për rritje të shpejtë të punësimit, rritjes së pagave dhe shtimit të kostove të prodhimit.