Mallkimi i Unazës së Re / Kompania e lidhur me Salillarin ofertë anomalisht të ulët vetëm për të fituar tenderin për mbikëqyrjen e punimeve      

8 Nëntor 2019, 16:57| Përditesimi: 8 Nëntor 2019, 21:33

  • Share

Thellohen më tej dyshimet rreth procedurës së përzgjedhjes së kompanisë, e cila do të mbikëqyrë punimet që do të kryhen nga ‘Salillari dhe Bajrami N’, në segmentin e Unazës së Re, nga Pallati Shigjeta tek rrethrrotullimi Shqiponja. Pasi u lejua nga Autoriteti Rrugor dhe Komisioni i Prokurimit Publik që të vijonte garën në konflikt interesi, madje duke e shpallur të parën me pikë për kriterin teknik, Kompania Instituti i Konsulencës në Ndërtim (INK) ka ndërmarrë një tjetër lëvizje taktike. Pas kalimit të fazës së parë me kriteret teknike, kur kompania INK arriti të shtonte totalin e pikëve me 20 pikë, Autoriteti Rrugor ka kaluar në fazën e dytë të tenderimit me ofertat ekonomike. Zarfet u hapën në datën 1 nëntor dhe INK ka paraqitur një ofertë financiare anomalisht të ulët, me qëllim për t’u shpallur me çdo kusht fituese e tenderit për mbikëqyrjen e Salillarit, me të cilin ka lidhje të forta ekonomike. Konkretisht, nga dokumentet e siguruara nga Shqiptarja.com, Instituti i Konsulencës në Ndërtim ka paraqitur ofertën financiare në shumën 6.206.400 lekë, në një kohë kur fondi limit për shërbimin e mbikëqyrjes së punimeve në Unazë është 10.700.000 lekë. Oferta e INK është sa 58% e fondit limit, pra duke ofruar një ulje prej 42%.

Sipas vendimit të qeverisë me nr. 914, datë 29.12.2014, për miratimin e rregullave të prokurimit publik, në nenin 66, “...oferta vlerësohet anomalisht e ulët kur ajo është ulur më shumë se 25% e fondit limit të përllogaritur”. Në rasti konkret, edhe pse oferta është ulur në masën 42% të fondit limit, komisionit të vlerësimit të ofertave pranë Autoritetit Rrugor, i përbërë nga Arjana Hasani kryetare, Adja Sefa anëtare dhe Liri Sula anëtar, e kanë vlerësuar me më shumë pikë ofertën INK në raport me ofertat financiare të kompanive të tjera, të cilat duken të arsyeshme nga pikëpamja ekonomike dhe mundësitë për të kryer shërbimin. Një ofertë kaq e ulët ngre dyshimte të forta rreth interesave të INK, për të kryer mbikëqyrjen me 42% skonto dhe ndoshta me humbje.

Nga procesverbali i komisionit të vlerësimit të ofertave, rezulton se përveç ofertës së ‘Instituti i Konsulencës në Ndërtim & Geosta’ me 6.206.400 lekë, ofertat e kompanive të tjera janë: ‘A & E ENGINEERING’ 10.000.000 lekë, ‘Taulant’ 10.691.597 lekë, dhe ‘Gjeokonsult & Co’ 10.691.597 lekë. Në përfundim, komisioni i vlerësimit të ofertave ka shpallur kompaninë Instituti i Konsulencës në Ndërtim të parën me 97.066 pikë, nga 100 pikë të mundshme, duke mbledhur pikët e propozimit teknik dhe ofertën ekonomike. Sipas procesverbalit, ‘A & E ENGINEERING’ rezulton me 69.479 pikë, ‘Taulant’ 68.942 pikë dhe ‘Gjeokonsult & Co’ 87.609 pikë.

Oferta anomalisht e ulët analizohet dhe mund të refuzohet sipas ligjit

Ligji për prokurimet publike, në nenin 56, parashikon që “kur autoriteti kontraktor vëren se një ose më shumë oferta për kontratat e mallrave, punëve apo shërbimeve janë anomalisht të ulëta, ai, përpara se të vazhdojë me procesin e vlerësimit të ofertave, i kërkon operatorit ekonomik përkatës të paraqesë me shkrim dhe brenda 3 ditëve pune shpjegime për elemente të veçanta të ofertës...”. Meqenëse oferta është shumë e ulët dhe fituesi ose rriskon të dalë me humbje, të mos ofrojë shërbimin apo të ketë një interes tjetër të dyshimtë, kompania në këtë rast duket të japë shpjegime për anën ekonomike të metodës të shërbimit, zgjidhjet teknike të ofruara dhe/ose ndonjë kusht favorizues të jashtëzakonshëm, origjinalitetin shërbimeve dhe zbatueshmërinë e detyrimeve. Ligji parashikon gjithashtu se “...autoriteti kontraktor mund ta refuzojë ofertën, kur edhe pas shqyrtimit të informacionit të paraqitur nga ofertuesi, nuk bindet se ajo është e rregullt në të gjitha elementet e saj”.

Shkelja dhe pasojat

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Komisioni i Prokurimit Publik duhet ta përjashtonin INK që në fillim nga gara për mbikëqyrjen e punimeve tek Unaza e Re, pasi ajo ka lidhje financiare me kompaninë Salillari, e cila do të zbatojë projektin për të njëjtin segment. Nga dokumentet e publikuara nga Shqiptarja.com, INK rezulton se është nënkontraktuar për të mbikëqyrur zbatimin e një kontrate nga Salillari dhe dy kompani të tjera për autostradën Milot-Morinë. INK paguhet nga Salillari për këtë mbikëqyrje, pasi kontrata financohet 50 % nga grupi i kompanive ku bën pjesë Salillari dhe 50 % nga shteti. Ndërkaq, ligji nr. 8402, datë 10.9.1998 për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit parashikon në fakt që kompania që mbikëqyr punimet nuk duhet të ketë asnjë lidhje me kompaninë që zbaton projektin. Në shkelje të këtij ligji, Autoriteti Rrugor dhe Komisioni i Prokurimit Publik, jo vetëm kanë lejuar INK të vijojë garën, por i ka shtuar edhe 20 pikë në fazën e parë, duke renditur në krye të listë dhe projektuar si fituese e garës. Shqiptarja.com ka kontaktuar Autoritetin Rrugor për të marre në reagim rreth kësaj çështje, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Zëdhënësi i ARSH ka premtuar një reagim 'brenda afatit të parashikuar nga ligji''.

( Kliko këtu ) Vendimi i qeverisë për manualin e tarifave

( Kliko këtu ) Ligji për prokurimet publike

Procesi i vlerësimit të propozimeve ekonomike 

Njoftimi i kontratës 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Turp, skandal: 08/11/2019 19:14

    Ore a ka fund ky turp, ky skandal i unazes se re ?? Per ça paguhen ata te administrates shteterore ?? Po zonja Balluku, a ja ka idene punes qe ben apo ca te dali te dali ? Po zhdukini me keta kompani plehra qe vetem dallavere me ministrat dine te bejne. Nderhy o kryeminister, merr kinez, arab , mongolez, vetem mbaroje ate mut rruge se eshte turp kombetar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?