Një 33-vjeçare, nënë e katër fëmijëve është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës jo vetëm sepse ka braktisur të miturit, duke i lënë në mëshirë të fatit, por edhe sepse familja e saj nuk di asgjë për adresën se ku ndodhet.
Një burim i Gazetës Si pranë Drejtorisë Vendore shpjegoi se largimi i shtetases I. M nga kryeqyteti u denoncua nga mamaja e saj, një 64-vjeçare që kërkon ndihmën e policisë për t’i kthyer të bijën në banesë. Bëhet me dije se e moshuara rrëfeu në komisariat se vajza pretendon që ka njohur një të panjohur në platformën tik tok, por nuk ka asnjë informacion se kush është ky shtetas.
“Ime bijë ka katër fëmijë. Më i vogli një vjeç e gjysmë dhe më i madhi 11 vjeç. Të voglin kur u largua e ka marrë me vete, ndërsa të tjerët i ka braktisur në shtëpi”, përmend mes të tjerash e moshuara. Sipas saj, vajza u kthye në shtëpinë e prindërve pas debateve me bashkëshortin dhe siç i kishte treguar ishte kthyer për t’u qetësuar dhe për t’u menduar.
“Sapo i shoqi mësoi që gruaja i kishte ikur edhe nga shtëpia e prindërve, erdhi në shtëpinë tonë mori fëmijët dhe iku i shqetësuar”, përmend e moshuara në denoncimin kësaj radhe jo kundër dhëndrit, por kundër vajzës të cilën e akuzon se braktisi fëmijët e vegjël, duke u larguar befas dhe pa asnjë adresë.
“Të nesërmen e telefonova vajzën, e hapi. Më tha, mami kam njohur njërin në tik tok dhe nuk kthehem më. E pyeta ku ndodhej dhe më tregoi në Vlorë. Kërkova të dija se me kë kishte shkuar në këtë qytet, por nuk më tregoi as emrin dhe as vendin ku ndodhej saktësisht”.
Policia bën me dije për gazetën Si se e moshuara mbasi 33-vjeçarja i ka fikur telefonin përballë pyetjeve të saj, e ka provuar këtë numër qindra herë.
“Mbasi ajo e fiku dhe nuk dilte më e disponueshme, e provova disa herë, por pa asnjë rezultat. Jam e merakosur për bijën dhe fëmijën e vogël, nuk mund ta besoj që një nënë me katër fëmijë t’i braktisë ata dhe familjen për një burrë në tik tok”, shprehet e moshuara, e cila nën merakun për fatin e 33-vjeçare dhe fëmijës së vogël, pret nga policia.
Burimet e gazetës Si shtojnë se janë vënë në kërkim të I. M që nga këqyrjet në sistem, saktësohet se nuk ka dalë jashtë Shqipërisë.
“Ne nuk mund të jemi të sigurt nëse kjo shtetase gjendet vërtet në Vlorë ashtu sikurse ka treguar, apo gjendet në kryeqytet. Veprimi i parë që kryhet në këtë rast është pyetja e të gjithë familjarëve, mes tyre edhe bashkëshorti dhe fëmijët, të cilët duhet të japin detaje mbi konfliktin dhe dyshimet e tyre dhe nëse kjo shtetase është larguar për arsye pasioni nga një njohje në tik tok, kjo do konfirmohet vetëm pasi të gjendet adresa e saj”, theksoi për Gazeta Si një zyrtar i policisë së Tiranës që këmbëngul se në fillim 33-vjeçarja do vendoset nën hetim për braktisje të fëmijëve të mitur.
“Vepra e parë penale që ne dyshojmë që ka kryer është abuzimi me përgjegjësinë prindërore, nuk është kompetencë e policisë të hetojë njohjen në tik tok, por nëse I. M ka një adresë në këtë platformë dhe është e mundur që përmes Tik tok t’i zbulojmë adresën, sigurisht që do të vendosim nën verifikim edhe historinë e saj të dashurisë”, mbylli prononcimin për Gazeta Si zyrtari./Gazeta Si