Ura mbi lumin e Drojës në Mamurras rrezikon të shembet për herë të dytë brenda pak vitesh, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve.
Toka ka rrëshqitur pranë këmbëve të urës, ndërsa pjesët mbrojtëse janë shkatërruar pas reshjeve intensive të javës së shkuar.
"Shtrati i lumit Droje është gërryer, e ka bërë të pakalueshme. Ura ka filluar të japë lëkundje të forta. Kjo bllokon të gjithë fshatin. Kompania ka lënë shumë boshllëqe" - thotë një prej banorëve.
Janë rreth 6 mijë banorë të këtij fshati që rrezikojnë të izolohen, ndërsa apelojnë për ndërhyrje urgjente.
"Varrezat janë larg, me çfarë të shkojm,ë deri atje. Rruga është dëmtuar. Dimri nuk ka filluar akoma dhe lumi ka dalë nga shtrati" - u shpreh një banor tjetër.
Ura e Drojës u rindërtua në vitin 2018-të mes bashkëpunimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanisë “ANTEA Cement”.
Pavarësisht shqetësimit të banorëve, asnjë institucion nuk ka kryer inspektime në zonë për rrezikun që mbart rrëshqitja e tokës dhe dëmtimi i urës.