Sulmuesi i kombëtares Rei Manaj ka shënuar një tjetër gol në Seria A në javën e 26 të kampionatit pavarësisht se Spezia e tij është mundur 2-1 nga Bologna. ‘Bomberi’ kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 11 të ndeshjes, duke goditur fort me kokë dhe pamundësuar reagimin e portierit kundërshtar. Fatkeqësisht goli i shqiptarit u bë i pavlefshëm për shkak të dopietës së Arnautovic.
Gjithsesi kjo nuk e ka penguar Manajn për të marrë notën më të lartë të ndeshjes te Spezia, duke u vlerësuar me 7 nga mediat italiane. Më shumë se ai mori vetëm Arnautovic 7.5, ndërsa ‘tuttomercatoweb’ shkruan se Manaj u tregua shumë i zoti, duke bërë repartin e sulmit i vetëm kundrejt 3 mbrojtësve. Sipas ‘tuttomercatoweb’ Manaj u tregua shumë agresiv duke i krijuar probleme të pafundme Bologna-s.
Për Manajn ky ishte goli i tretë sezonal, por tani është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm.