Manastiri i Ukrainës

Manastiri i Ukrainës, mes luftës dhe rivalitetit fetar! Vendi i shenjtë nuk i shpëton agresionit

13 Gusht 2023, 10:37| Përditesimi: 13 Gusht 2023, 10:44

  • Share

Muret e bardha, çatitë shumëngjyrëshe dhe kupolat e arta me shkëlqim dallohen mes majave të pemëve në shpatin e pjerrët mbi lumin e dredhuar të Siverski Donetsit në Donbas, i shtrirë në Ukrainën juglindore të dëmtuar nga lufta për gati një dekadë. Pamja e Manastirit të Maleve të Shenjta është po aq magjepsëse sot sa ishte përpara shpërthimit të konfliktit në Donbas në vitin 2014, vite para se Rusia të niste pushtimin e saj të plotë të Ukrainës vitin e kaluar.

Por, bloza e zezë dhe qindra vrima plumbash nuk lënë asnjë dyshim: Lufta e ndezur në Ukrainë nuk e ka anashkaluar këtë strehë të rëndësishme të krishterimit ortodoks, të njohur gjithashtu si Lavra Svyatohirsk. As nuk i dha qetësi qytetit të vendosur në bregun përballë të lumit. Svyatohirsk, një destinacion që dikur tërhoqi mijëra pelegrinë dhe udhëtarë, tani qëndron në rrënoja… rrugët e tij janë gjysmë bosh.

Megjithatë, sipas Archimandrite Feofan, një murg dhe arkëtar i manastirit, i cili është kritikuar prej kohësh nga Kievi për lidhjet e tij të supozuara me separatistët e mbështetur nga Rusia në Donbas, “çdo luftë vjen gjithmonë për një arsye”.

Duke folur personalisht dhe jo si përfaqësues i manastirit, ai tha për Radion Evropa e Lirë se, sipas tij, kjo filloi me qëllimin e “ndreqjes së një kombi” ose “për të riparuar një komb”. Në Svyatohirsk dhe shumë vende të tjera në Ukrainë, lufta e ka bërë të kundërtën – ka shkaktuar vdekje dhe shkatërrim – dhe perspektiva e rimëkëmbjes duket e largët.

Murgjit në Lavra Svyatohirsk, së bashku me Kishën Ortodokse të Ukrainës (UOC) të Patrikanës së Moskës, pjesë e së cilës është manastiri, e gjejnë veten në një situatë të vështirë për shkak të veprimeve të Rusisë. Ata po përpiqen të distancohen nga Kisha Ortodokse Ruse, e cila mbështet luftën.

Në fillim të pushtimit, Mitropoliti Onufriy, udhëheqësi i UOC-së që ka lidhje historike me Moskën, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndalonte luftën, duke e krahasuar atë me një histori nga Bibla, historinë e Kainit. Në mënyrë të ngjashme, Feofan shprehu habinë për pushtimin dhe e etiketoi luftën si “të çmendur” dhe “vëllavrasëse”. “Ne dhe mëkatet tona duhet të fajësohemi për këtë luftë”, tha Feofan për Radion Evropa e Lirë në një bisedë të gjatë në fund të muajit të kaluar. Ai tha se një “ndarje artificiale” që ishte promovuar prej vitesh midis ukrainasve etnikë dhe rusëve në Donbas, të cilët ai i quajti “një popull”, çoi në “gjyqin e tmerrshëm” që ata po kalojnë tani.

Një formulim kombinon insinuatat se pushtimi është moralisht i gabuar me jehonën e një prej pretendimeve kryesore të rreme që Putini ka përdorur në përpjekjet e tij për ta justifikuar atë: që ukrainasit dhe rusët janë i njëjti popull dhe se lufta është rezultat i përpjekjeve të Perëndimit dhe Qeverisë aktuale të Kievit për t’i vendosur ata kundër njëri-tjetrit dhe për të përdorur Ukrainën për të nënshtruar Rusinë.

‘Qielli i sigurt’ po digjet

Një gjë është e vërtetë: “Gjyqi” përnjëmend ka qenë i tmerrshëm. Në fillim të muajit qershor, vitin e kaluar, më pak së katër muaj nga fillimi i pushtimit të plotë, trupat ruse iu afruan Svyatohirskut dhe detyruan ushtrinë ukrainase të tërhiqej në bregun jugor të lumit Siverski Donets. Kur ushtarët që tërhiqeshin shkatërruan urën mbi lumë, manastiri u gjend në kurth në mes të një shkëmbimi të zjarrit midis fraksioneve që zgjatën pandërprerë për katër muaj rresht. Situata ndryshoi vetëm kur forcat e Ukrainës rifituan me shpejtësi kontrollin e rajonit përmes një kundërofensive nëpër segmente të rajoneve Donjeck dhe Harkiv në shtator të vitit të kaluar.

Në mes të betejës, manastiri u bë adresë për qindra refugjatë nga Svyatohirsku dhe fshatrat përreth, që kërkuan strehim nga sulmi i zjarrit të artilerisë dhe kërcënimi i që vinte nga pushtimi rus.

Në mesin e refugjatëve ishin disa murgesha nga një manastir i shkatërruar në Bohorodiçne, një fshat aty pranë, të cilat kishin ardhur në manastir në muajin maj, së bashku me banorët tjerë në një kolonë të mbrojtur nga trupat ukrainase. I mësuar me pritje të pelegrinëve, Lavra Svyatohirsk, siguroi me sukses strehim dhe ushqim për disa qindra individë në mes të kaosit.

Duke “sulmuar” verbalisht Kievin dhe autoritetet lokale ukrainase, Feofan tha se manastiri “mori rolin e shtetit, i cili nuk kishte arritur të ndihmonte siç duhet qytetarët e tij”. Anatoli, një farkëtar që i ka kushtuar dekada të tëra punës për murgjit, gjatë një darke në sallën e ngrënies së manastirit, tha për Radion Evropa e Lirë se “individë të shumtë që kishin humbur gjithçka, gjetën një strehë të sigurt brenda manastirit”, duke shtuar se “dikush mund ta kuptojë këtë vend të shenjtë pasi jeton aty”.

Manastiri i Malit të Shenjtë u dëmtua rëndë përgjatë gjithë kohës së luftimeve të ashpra në këtë zonë.

Duke u bazuar në raportimet e ushtrisë ukrainase, manastiri u godit nga një bombë ruse më 12 mars.

Më 4 maj, bombardimet nga Rusia dëmtuan një konvikt, ku u lënduan të paktën shtatë persona.

Më 30 maj dhe 1 qershor, tre murgj dhe një murgeshë u vranë, dhe të paktën tre murgj të tjerë u lënduan nga zjarri i artilerisë. Disa ndërtesa në pronësi të manastirit në zonën përreth tij gjithashtu u dëmtuan. Në mesin e tyre ishte edhe kisha prej druri- Tashëgimia e gjithë Shenjtorëve – që ishte kisha më e madhe e drurit në Ukrainë.

Në rrezik të vazhdueshëm, mbi 50 veta që po qëndronin në manastir vendosën të largohen, thotë Volodymyr Rybalkin, një veteran i luftës në Donbas, i cili po ashtu mori pjesë në luftimet që çliruan tokat e pushtuara nga Rusia, vitin e kaluar. Ai tani është në krye të administratës civile të Svyatohirskut.

Ata që mbetën aty, jetuan në “terr informativ”, pa qasje në internet dhe pa lidhje telefonike, tregon Rybalkini për Radion Evropa e Lirë.

“Kanë menduar se i gjithë rajoni i Donjeckut ishte tashmë nën kontrollin e Rusisë dhe nuk mund të besonin se tramvajet ende po funksionin në Kramatorsk [qytet pranë]”, tha ai.

Së bashku me anëtarët e njësisë lokale të mbrojtjes territoriale, Rybalkin po regjistronte video-mesazhe nga të afërmit e njerëzve që qëndronin në manastir duke u kërkuar atyre të shkonin në territorin e kontrolluar nga Ukraina. Ushtarët futeshin fshehurazi në Lavra, shfaqnin videot dhe nxirrnin jashtë këdo që ishte i gatshëm të largohej.

Në fund të korrikut, rreth 10 muaj pas çlirimit të Svyatohirskut, rreth 100 njerëz nga zona, duke përfshirë 24 fëmijë, po qëndronin në manastir. Disa kanë humbur shtëpitë e tyre dhe disa kanë punuar për manastirin.

Pushtim brutal

Jashtë manastirit, vetëm një fraksion i vendbanimeve të mëparshme vazhdon të qëndrojë në këmbë. Kjo pjesë, dikur thuhej se ishte “Zvicra e Donbasit”, për shkak të livadheve të tij të qeta dhe pyjeve të gjera me lisa, të cilat në të kaluarën tërhiqnin vizitorë që kërkonin pushim nga qytetet industriale si Donjecku e Luhansku.

Sipas autoriteteve lokale, vetëm 950 banorë nga popullsia prej 5.000 banorësh sa ishte para pushtimit, mbetën në qytetin e Svyatohirskut dhe 2.600 nga më shumë se 9.000 në rrethin e gjerë. Pothuajse të gjitha hotelet, vendpushimet shëndetësore dhe qendrat e argëtimit që lulëzuan në të kaluarën, nuk kanë më punë.

Rybalkin irritohet dukshëm kur përballet me pretendimin se Lavra mbronte njerëzit në mungesë të mbështetjes shtetërore. Ai thotë se ata që qëndruan në manastir e bënë këtë sepse “ishin afër tij më parë dhe dëgjonin këshillat e murgjve”.

“Lavra do të donte të ishte shtet përbrenda shtetit, por ne jemi përgjegjës këtu”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Që nga fundi i pushtimit rus, administrata civile-ushtarake dhe vullnetarët u kanë ofruar banorëve ushqime falas dhe ndihmë humanitare. Autoritetet hapën një banjë publike dhe lavanderi në qytet. Kjo e fundit, nuk ka ujë të rrjedhshëm.

Disa biznese janë rihapur dhe Rybalkin thotë se një bankë dhe një pikë karburanti do të fillojnë të funksionojnë së shpejti.

Rrugët e Svyatohirskut janë pastruar kryesisht nga rrënojat dhe xhamat e copëtuara, por pyjet rreth tij thuhet se janë të dyndur me mina.

Hezitimi për rimëkëmbje është për shkak të luftimeve të ashpra në vijën e frontit, që po zhvillohen vetëm 30 kilometra larg, ku forcat ruse janë përpjekur të fitojnë terren pranë qyteteve Liman, në juglindje, dhe Kupiansk, më larg në veri. Ushtarët ukrainas lëvizin brenda dhe jashtë qytetit, ndonjëherë duke qëndruar për pak kohë për të riparuar automjete ose për të bërë disa pazare.

Ndërsa, Svyatohirsku rimëkëmbet gradualisht, ai mbetet thjesht një hije e së kaluarës së tij dhe kjo gjendje mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë. Shumica e banorëve u larguan vitin e kaluar. Ata u zhvendosën në Rusi ose në zona të Ukrainës, që janë nën kontrollin rus. Këtu përfshihet edhe ish-kryetar i bashkisë, Volodymyr Bandura, i cili ishte i lidhur me partinë pro-ruse të opozitës, e cila tashmë është e ndaluar në Ukrainë– Platforma për Jetën.

Olha Kartashova, koordinatore e qendrës për ndihmë humanitare në Svyatohirsk, i tha Radios Evropa e Lirë se disa banorë “përshëndetën forcat pushtuese ruse, thuajse ato ishin çlirimtare”, por shumë të tjerë thjesht u pajtuan me praninë e tyre, sepse nuk kishin çfarë tjetër të bëjnë.

Kartashova tha se atë dhe vajzën e saj, ushtarët rusë i detyruan të zhvisheshin dhe se dhëndri i saj u trajtua shumë ashpër gjatë marrjes në pyetje. Familja pothuajse çdo natë të pushtimit e kalonte të fshehur në një bodrum. Shtëpia e tyre u granatua dy herë, herën e parë kur ushtria ruse mori Svyatohirskun, dhe të dytën, kur ukrainasit e rimorën atë.

Sipas Rybalkinit, forcat ruse ndjenin rrezik të vazhdueshëm pasi qyteti ishte nën kontrollin ukrainas dhe dronët ukrainas monitoronin vazhdimisht lëvizjet e tyre.

“Ushtarët rusë ndonjëherë kishin veshur rroba civile dhe i fshehën armët nëpër çanta”, tha ai.

Në pamundësi për të forcuar kontrollin, rusët nuk arritën të krijonin një administratë në Svyatohirsk, kështu që banorët e mbetur u lanë në mëshirën e ushtarëve dhe duhej të mbështeteshin tek ata për ushqim dhe gjëra të tjera esenciale.

Pasi Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) kreu të ashtuquajturat “masa për stabilizim”, pas tërheqjes së trupave ruse vjeshtën e kaluar, prokurori i qarkut hapi një numër hetimesh për bashkëpunim të dyshuar, separatizëm dhe grabitje.

SBU-ja gjithashtu raportoi se kishte identifikuar një “dhomë torture” në një qendër argëtimi pranë Lavrës Svyatohirsk, ku ushtria ruse “mbante me forcë banorët që mbështesnin sovranitetin ukrainas”.

Banorët që përjetuan dhe panë nga afër pushtimin, treguan për brutalitet dhe kaos.

Mjekja e pensionuar, Tamara Yevdokymova, 82- vjeçare, kultivon patate, domate, tranguj, qepë, rrush, e fruta dhe perime të tjera në kopshtin e saj të vogël, pavarësisht në oborrin e saj shihen mbetje të ndryshkura të tankeve, një kujtim i përpjekjes së dështuar të forcave ruse për të kaluar Siverskiy Donetsin.

Gjatë luftimeve vitin e kaluar, shtëpia e saj u dogj dhe ajo u fsheh nga shpërthimet e bombave thërrmuese dhe predhave që shpërthyen përreth. Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se një ushtar i ri rus e kishte rrahur dhe i kishte nxjerrë dhëmbët. Djali i saj, një murg, jeton në Rusi, por ajo planifikon të qëndrojë në vendin ku, siç tha “kam jetuar gjithë jetën dhe kam varrosur burrin tim”.

“Është koha që unë të vdes”, tha ajo. “Unë nuk dua të jetoj më në këtë çmendinë”.

‘Klani i Donjeckut’ dhe ‘Bota ruse’

Pas tërheqjes ruse, murgjit e Lavra Svyatohirskut u gjendën gjithashtu në një situatë, që duket si një rrugë pa krye.

Kisha Ortodokse Ukrainase (UOC) mbizotëronte prej kohësh krishterimin ortodoks në Ukrainë, ndërsa besimet rivale të lidhura me Kievin dhe jo me Moskën luftuan për të fituar terren. Megjithatë, kjo ndryshoi gradualisht, dhe në vitin 2019 Kisha Ortodokse e Ukrainës u njoh si e pavarur nga kreu shpirtëror i të gjithë të krishterëve ortodoksë: Patriarku Ekumenik Bartolomeu i Kostandinopojës.

Tani, në kohën kur vetë Ukraina lufton për të ruajtur pavarësinë e saj, Kisha Ortodokse Ukrainase po humbet famullitarët dhe po përballet me kritika të forta. Autoritetet ukrainase akuzojnë kishën për mbajtjen e lidhjeve me shërbimet ruse të sigurisë, për avancimin e narrativave pro-ruse dhe bashkëpunimin me forcat okupuese në pjesët e Ukrainës të kontrolluara nga Rusia.

Që nga fundi i vitit të kaluar, SBU-ja ka kryer kontrolle në shumë vende adhurimi të UOC-së, si pjesë e një operacioni “kundërzbulimi”. SBU-ja nuk ka thënë publikisht nëse ka kontrolluar Lavra Svyatohirskun.

Në një dekret të lëshuar më 28 dhjetor 2022, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pezulloi nënshtetësinë e udhëheqësit shpirtëror të Lavra Svyatohirskut, mitropolitit Arseniy dhe 12 përfaqësuesve të tjerë të UOC-së.

Arseniy ishte në manastir gjatë një vizite në fund të korrikut, sipas Feofan, por nuk pranoi të fliste për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka përsëritur narrativat ruse shumë herë gjatë dekadës së fundit, duke akuzuar Ukrainën për nxitjen e luftës në Donbas dhe ka mbështetur referendumet e imponuara nga Rusia në Krime dhe rajone të tjera të Ukrainës, të cilat janë hedhur poshtë gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar si mashtrime të paligjshme.

Në vitin 2014, forcat kundërshtare të Kievit, të udhëhequra nga Igor Girkin, një ish-oficer i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB) dhe një figurë e rëndësishme në aneksimin rus të Krimesë dhe në fazat e hershme të konfliktit të Donbasit, supozohet se iu dha mbështetje dhe miratim nga disa murgj nga Manastiri i Maleve të Shenjta.

Girkin më vonë pretendoi se kontingjenti i tij gjatë asaj kohe përfshinte individë që ai u referohej si “bij shpirtërorë”, murgj nga Lavra Svyatohirsk. Ai, gjithashtu, përmendi se një nga brigadat e tij ishte nën komandën e një fillestari nga Lavra Svyatohirsk.

Feofan, tha për Radion Evropa e Lirë se ai nuk kishte njohuri për këto ngjarje dhe theksoi se Girkini nuk ishte i pranishëm në Lavra në vitin 2014, në kundërshtim me atë që disa media të lidhura me separatistët e mbështetur nga Rusia kanë raportuar. Njëkohësisht, Feofani pohoi se të dyja palët mbajnë përgjegjësi për përshkallëzimin në vitin 2014 dhe theksoi se ishte Ukraina ajo që nisi granatimet e rënda të artilerisë në Slovyansk, vendndodhja e disa prej përplasjeve fillestare në konfliktin që u shfaq atë vit.

Tetyana Derkach, gazetare për çështje fetare ukrainase dhe autore e librit “Kisha ruse në luftën hibride kundër Ukrainës”, e përshkroi Lavra Svyatohirskun si “qendra më e spikatur e ideologjisë së ‘Botës Ruse’ në Donbas” — një referencë për ndjenjat ekspansioniste të nacionalistëve rusë që mbrojnë marrjen nën kontroll të pjesëve të vendeve të huaja të populluara nga rusishtfolësit.

Lavra Svyatohirsk ka gjithashtu një peshë për shkak të lidhjeve të saj me figura politike të lidhura me Moskën, duke përfshirë ish-presidentin Viktor Yanukovych. Ai la pozitën e tij dhe kërkoi strehim në Rusi në vitin 2014 për shkak të presionit nga lëvizja e protestës së Euromaidanit. Kjo lëvizje ndodhi si reagim ndaj zbulimeve të korrupsionit qeveritar dhe zgjedhjes së Yanukovychit për të anuluar një marrëveshje që synonte forcimin e lidhjeve me Bashkimin Evropian.

Yanukovych frekuentonte manastirin dhe i ndau prona të ndryshme publike, duke ofruar gjithashtu mbështetje financiare. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004, ai fitoi miratimin e manastirit, me besimtarët që luteshin për suksesin e tij si “shërbëtori i Zotit Viktor”.

Derkach iu referua Lavra Svyatohirskut si qendra e origjinës shpirtërore e të ashtuquajturit “klani Donjeck”, një grup dikur me ndikim që përfshinte Yanukovychin dhe kryeministrin e tij, Mykola Azarov.

Pas negociatave midis Yanukovychit dhe Patriarkut Kirill, kreut të Kishës Ortodokse Ruse, manastirit iu dha titulli i çmuar i “Lavra”, që nënkupton një status të ngritur shpirtëror dhe kulturor të krahasueshëm me Manastirin e Shpellave të Kievit dhe manastirin e Poçajiv në Ukrainën perëndimore.

“Luftë hibride”

Pavarësisht një ndryshimi në retorikën e tij zyrtare, Derkach pohon se ndjenjat në Lavra Svyatohirsk kanë mbetur relativisht të pandryshuara edhe pas pushtimit të gjerë të Ukrainës nga Rusia. Në maj të vitit 2022, Kisha Ortodokse Ukrainase u distancua publikisht nga Kisha Ortodokse Ruse, duke bërë ndryshime në statutet e saj që gjoja jepnin një nivel “autonomie dhe pavarësie”.

Kritikët, megjithatë, argumentojnë se këto ndryshime nuk e kanë modifikuar në thelb statusin kanonik të kishës dhe janë kryesisht simbolike.

Gjatë disa shërbesave, murgjit e Svyatohirskut ende thërrasin emrin e patriarkut Kirill, me gjithë mbështetjen e tij vokale për Putinin dhe pushtimin. Kirill, një aleat i dukshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, ka shprehur pikëpamjen se ushtarët rusë që vdesin në betejë janë duke u përfshirë në “një sakrificë që shfajëson të gjitha mëkatet e atij individi”.

Feofani pohon se murgjit e Lavrës nuk e marrin parasysh qëndrimin e patriarkut Kirill dhe pretendon se emri i tij përfshihet “ritualisht” në lutje për shkak të faktit se “OCU (Kisha Ortodokse e Ukrainës) tani është e ndarë nga Kisha Ortodokse Ruse, megjithëse jo plotësisht e pavarur”.

Gjatë gjithë diskutimit, ai shprehu gjithashtu një sërë pikëpamjesh në përputhje me retorikën e UOC-së. Ai pohoi se “abortet në Ukrainë shkaktojnë më shumë viktima sesa konflikti në vazhdim” dhe propozoi që kufizimet e lidhura me pandeminë gjatë krizës COVID-19 “krijuan një distancë midis njerëzve dhe Zotit, duke kontribuar kështu në mënyrë indirekte në luftë”.

Në përputhje me një deklaratë të bërë nga propagandisti i televizionit shtetëror rus Vladimir Solovyov, Feofani iu referua OCU-së kundërshtare si një “kishë turke e përbërë nga individë që janë larguar nga kisha kanunore” – duke aluduar në faktin se selia e Patriarkut Ekumenik Bartolomeu ndodhet në Stamboll.

Derkach vuri në dukje se ndërsa UOC-ja e denoncon zyrtarisht pushtimin në deklaratat e saj zyrtare, ajo shpërndan narrativa pro-ruse në nivel lokal për shkak të sfidave në ruajtjen e kohezionit, duke pasur parasysh se disa nga kongregacionet e saj ndodhen brenda zonave të pushtuara nga Rusia, ku ato janë të lidhura në mënyrë aktive me Kishën Ortodokse Ruse, ndërsa të tjerët banojnë në territore të kontrolluara nga qeveria.

“Kisha Ortodokse e Ukrainës është përfshirë në luftën hibride të Rusisë kundër Ukrainës që nga viti 2014. Si pasojë, në këtë gjendje të vështirë aktuale, ndërsa po përjeton vetë pasojat, ajo thjesht mund të presë rrethana më të favorshme”, shpjegoi ajo./REL

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?