Ministrja Ogerta Manastirliu konfirmoi sot se të gjitha llojet e vaksinave që përdoren në Shqipëri janë më se efektive. Ajo shprehu keqardhje që disa zëra edhe nga politika kanë ngritur një tymnajë rreth kësaj çështje. Në ‘Kontrast’ Manastirliu shtoi se Shqipëria e nisi vaksinimin në një kohë kur shumë vende të botës vareshin nga kontratat me COVAX.
“Shqipëria siguroi në një kohë të shpejtë vaksinimin e mësuesve, mjekëve dhe policisë dhe më 28 mars kemi nisur vaksinimin masiv. Dhe prej muajit korrik, ne kemi hapur vaksinimin për çdo qytetar mbi 16 vjeç dhe fëmijë mbi 12 vjeç me sëmundje. Sot vaksnimi është shumë i kollajshëm, mjafton të shkosh në Qendrën Shëndetësore me kartën me vete. Nuk është kështu në të gjithë botën. Në Itali, vaksina është me rezervim përshembull. Sa i përket llojit të vaksinës, disa zëra kanë hedhur një re të zezë mbi lloje të ndryshme vaksinash. Ndërkohë që janë të gjitha vaksina të njohura nga OBSH, apo EMA. Të gjitha janë efektive, për aq kohë sa përdoren gati në të gjitha vendet e botës. Fakti që SHBA në nëntor ka pranuar që udhëtarët të mbërrijnë me pasaporta vaksinimi edhe kineze, e tregon këtë. Pra këtu nuk ka vend të themi që vaksinat nuk janë efektive” – tha ministrja Manastirliu në ‘Kontrast’.
Ajo shtoi se Shqipëria ka tre herë më pak fatalitete nga Covid krahasuar me periudhën para aplikimit të vaksinës, që tregon rëndësinë e kësaj të fundit.
Manastirliu deklaroi se 94% e të shtruarve në spitale sot janë të pavaksinuar qoftë edhe me një dozë.
“Dikush ka besuar tek teoritë konspriative që kanë helmuar të gjithë dynjanë dhe ka bërë që të frikësohen edhe grupet e frikësuara. Prandaj janë ata sot që ndodhen në spitale” – tha ministrja.
Lajmi kryesor:
Manastirliu në 'Kontrast': Po analizojmë mostra nëse ka mbërritur 'Omicron' në Shqipëri, por s'kemi ende dyshime! 94% e të shtruarve në spitale, të pavaksinuar
//ReportTv.al