Kronikë

Manastirliu inspekton qendrën shëndetësore verore në Durrës: Mbi 14 mijë pushues vendas e të huaj kanë marrë shërbim në zonat turistike

24 Korrik 2021, 11:07| Përditesimi: 24 Korrik 2021, 13:04

  • Share

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën e plazhit të vjetër në Durrës, një nga 29 qendrat shëndetësore verore të hapura për pushuesit përgjatë zonave turistike.

“Nga 15 qershori deri më sot janë më shumë se 14 mijë vizita dhe shërbime që janë ofruar për pushuesit vendas dhe të huaj. Janë më shumë se 10 mijë pushuesit vendas që kanë marrë shërbime në këto qendra shëndetësore verore, ndërkohë që më shumë se 4 mijë janë pushues të huaj, turistë, të cilët kanë ardhur dhe kanë marrë shërbime falas në këto qendra”, bëri me dije Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se programi i qendrave shëndetësore verore ka lehtësuar shumë punën në spitale.

“Ky program, tashmë funksional prej 7 vitesh, ka lehtësuar shumë punën në spitale. Sepse gjithë ky fluks i madh pacientësh që kanë marrë shërbim, nuk janë drejtuar dyerve të spitaleve, por i kanë marrë këto shërbime pranë zonave të pushimit. Qendrat shëndetësore verorë janë rritur në numër vit pas viti, duke mbuluar me shërbim dhe ato zona të pambuluara më parë”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore verore në Durrës, Manastirliu tha se fokusi është tek vijimi i programit të vaksinimit, me qëllim për të rritur mbulesën vaksinale.

“Prej disa ditësh dhe përgjatë gjithë javës ne kemi mundësuar që të realizohet vaksinimi në +18 vjeç, në çdo qendër shëndetësore dhe në çdo pikë të vaksinimit të përqendruar dhe gjithashtu nëpërmjet njësive lëvizëse të vaksinimit, që tashmë janë në të gjithë vendin”, tha Manastirliu, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më parë, për t’u mbrojtur nga Covid19.

Rreth 130 mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore ofrojnë shërbim 24/7 për emergjencat në 29 pika turistike nga veriu në jug. Në çdo qendër shëndetësore verore ofrohet falas edhe testi i shpejtë i Covid19, me synim identifikimin e hershëm dhe izolimin e rasteve të dyshuara me virusin e rrezikshëm.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?