U prezantua sot programin “Bridge”, një iniciativë e re që synon të fuqizojë kërkimin shkencor dhe të forcojë lidhjet institucionale mes universiteteve shqiptare dhe diasporës akademike.
“Bridge” është një cikël i programit READ, një bashkëfinancim mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), i cili konsolidon një marrëdhënie të qëndrueshme me akademikë shqiptarë që kontribuojnë në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare.
“Kemi sot mundësi të re mbështetje për universitetet tona që është Bridge nga READ. Bashkëpunimi i diasporës akademike dhe i studiuesve tanë, i kërkuesve shkencorë, i përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, i rritjes së grupeve të kërkimit shkencor brenda universiteteve, por duke pasur gjithmonë një mbështetje nga diaspora akademike, për ne sjell një model të ri zhvillimi brenda universiteteve tona dhe për më tepër ky model zhvillimi është edhe i qëndrueshëm, pasi vjen nga një partner, i cili jo vetëm ofron qëndrueshmëri, por na ofron edhe garanci për transparencën, për efektivitetin, për menaxhimin e mirë të burimeve tona financiare, por mbi të gjitha për fuqizimin e burimeve njerëzore”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Thirrja e parë për bashkëpunim, ka reflektuar interesin e lartë dhe potencialin e fuqishëm të këtij rrjeti bashkëpunimi.
“Vërtet jam e kënaqur që janë 477 projekte, të cilat kanë aplikuar dhe janë 55 prej tyre të cilat janë përzgjedhur si projekte fituese, projekte të cilat janë të fushave të ndryshme, duke nisur nga shkenca mjekësore, ato mjedisore apo shkencave kompjuterike gjithashtu edhe të shkencave humane, të tekonologjisë dhe inovacionit, të inteligjencës artificiale, janë projekte shkencore të cilat janë miratuar, por rëndësi të veçantë dua ti jap këtij modeli bashkëpunimi. Qeveria shqiptare përmes AKKSHI vendos buxhet për bashkëfinancim në këtë projekt, duke rritur efikasitetin duke rritur përfitueshëmrinë dhe mbi të gjitha duke rritur cilësinë e projekteve të kërkimit shkencor.”, tha Ministrja Manastirliu.
Programi “Bridge”, është një urë bashkëpunimi mes diasporës akademike dhe universiteteve shqiptare, për rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor dhe ekselencës akademike në universitetet tona. Bashkëpunimi i diasporës akademike dhe i studiuesve dhe kërkuesve shkencorë në Shqipëri, me bashkëfinancimin e projekteve të kërkimit shkencor me financimin e përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, përmes AKKSHI dhe Programit READ të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), po krijon një model të ri zhvillimi të qëndrueshëm brenda universiteteve tona. Programi pilotohet fillimisht në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin “Fan Noli” në Korçë.
Përmes “Bridge” lind një mundësi e re mbështetje për avancimin e ekselencës akademike në vend, për të çuar në një nivel të ri kërkimin shkencor në universitetet shqiptare dhe për t’i shërbyer me këto projekte, misionit të tretë të universiteteve që është ndikimi në shoqëri.
Qëllimi është forcimi i diplomacisë akademike, për të ngritur cilësinë e universiteteve shqiptare dhe për të ofruar mundësi reale zhvillimi për të rinjtë në vendin tonë.
Komente
