Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar punimet në kantierin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Jonuz Çarçiu” në fshatin Tregan të Elbasanit, një tjetër investim i rëndësishëm për të garantuar kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit në zonat rurale.
Punimet po shkojnë drejt përfundimit dhe shkolla pritet të hapë dyert në fillim të vitit të ri shkollor 2025-2026, duke u shndërruar në një kompleks arsimor me ambiente moderne, laboratorë, palestër, terrene sportive dhe një kopsht për fëmijët.
Ministrja Manastirliu, duke ndalur në rëndësinë e këtij investimi për komunitetin e Treganit, u shpreh se investimet që kanë bërë janë duke u finalizuar.
“Investimet që ne kemi bërë vit pas viti tashmë janë duke u finalizuar dhe po hapim kantiere të reja në infrastrukturën arsimore në të gjithë vendin. Këtu në Elbasan në Njësinë Administrative Tregan kemi një shkollë të re, shkolla ‘Jonuz Çarçiu’, një shkollë e cila do të mirëpresë rreth 200 fëmijë, duke përfshirë këtu një kompleks arsimor, pasi do të kemi edhe kopshtin për fëmijët dhe gjithashtu edhe shkollën me ambiente tërësisht të reja”, tha Ministrja.
Objekti është ndërtuar nga e para me standardet më të larta dhe përfshin edhe palestër të brendshme, ambientet ndihmëse dhe oborrin e transformuar për zhvillimin e aktiviteteve sportive, sociale dhe artistike.
“Shkolla është ndërtuar e re me standarde më të mira, e cila do të ketë jo vetëm klasat, laboratorët, por gjithashtu edhe palestrën dhe ambientet sportive dhe oborrin e shkollës në funksion të programeve të cilat ne tashmë i kemi në shkollat tona, sikurse është dhe programi Art dhe Zeje, sikurse është edhe shkolla Qendër Komunitare, që jo vetëm gjatë procesit mësimor, por edhe pasditeve nxënësit të vijnë në mjediset e shkollës për të vijuar procesin edukativ, por edhe atë argëtues, sportiv dhe rekreativ”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu vuri në dukje se investimet në arsim janë të lidhura drejtpërdrejt me cilësinë e mësimdhënies dhe përmirësimin e kushteve për mësuesit dhe nxënësit.
“Për ne investimi në infrastrukturën arsimore është thelbësor për cilësinë në arsim, për krijimin e kushteve më të mira të punës dhe gjithashtu për të arritur ato standarde që ne duam. Po investojmë edhe në shtatë shkolla, jo vetëm në Bashkinë e Elbasanit, por edhe në Bashkinë e Librazhdit, në Cërrik, në Belsh, në Prrenjas, për të realizuar pikërisht atë plan që ne po e zhvillojmë vit pas viti, që lidhet pikërisht me një arsim cilësor me standarde bashkëkohore për t’ju siguruar nxënësve tanë një arsim cilësor”, nënvizoi ajo.
Komente
