Katër laboratorët e shkencave në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë janë pajisur me materiale të reja didaktike për biologjinë, fizikën dhe kiminë, si pjesë e investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Qëllimi i këtij investimi është përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies, duke krijuar kushte bashkëkohore dhe praktike për nxënësit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vizitoi ambientet e reja të laboratorëve dhe theksoi rëndësinë e përhapjes së këtij standardi në të gjitha shkollat e vendit, pavarësisht vendndodhjes së tyre.
“Janë 80 laboratorë, të cilët janë pajisur me mjete didaktike këtë vit, do të vijojmë më pajisjen e shkollave në vijim sepse është e nevojshme që çdo shkollë, qoftë në qendër, qoftë në periferi, qoftë në fshat, qoftë në qytet, të krijojë mundësi që nxënësit të mësojnë njësoj, me të njëjtin standard”, tha Ministrja Manastirliu.
Pajisja e laboratorëve përfshin shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm, me synimin për të nxitur aftësitë kërkimore dhe analitike të nxënësve përmes mësimdhënies moderne dhe interaktive.
Gjatë takimit me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, Ministrja Manastirliu vlerësoi angazhimin e tyre dhe theksoi rëndësinë e vijimit të investimeve në këtë drejtim:
“Arritjet tuaja na bëjnë të ndihemi mirë dhe na bëjnë të investojmë akoma më shumë në kapacitetet laboratorike dhe në të gjithë materialet didaktike të nevojshme, që puna kreative dhe puna laboratorike të mundet që të jetë sa më shumë komplementare për të gjitha njohuritë teorike që ju merrni”, u shpreh Manastirliu.
Zhvillimi i laboratorëve STEM është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit arsimor, duke i ofruar nxënësve mundësinë për të zhvilluar aftësi praktike në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Këto laboratorë jo vetëm që nxisin kreativitetin dhe punën në grup, por përgatisin gjithashtu të rinjtë për tregun e punës dhe për karriera të suksesshme në fusha me kërkesë të lartë për ekspertizë shkencore dhe teknologjike.
Komente
