Mbi 100 nxënës të ciklit fillor nga klasat I-V kanë nisur programin dyjavor “Shkolla Verore” në shkollën e rikonstruktuar “Halit Çoka” në Kamëz, një prej 10 shkollave ku po pilotohet ky model nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në këtë shkollë, theksoi rëndësinë e këtij modeli për mësimin përmes lojës dhe krijimin e hapësirave gjithëpërfshirëse për fëmijët:
“Kemi hapur shkollën verore, shkolla e parë në Kamëz i është bashkuar 10 shkollave, së bashku me 8 shkolla në Tiranë dhe shkollën e ‘Eftali Koçi’ në Durrës, ku jemi duke pilotuar këtë mënyrë të re të organizimit jashtë procesit mësimor. Shkolla verore e cila tashmë është organizuar me shumë klube, një kamp i mirëfilltë vere brenda mjediseve të shkollës, ku rreth 1000 fëmijë në këto 10 shkolla janë organizuar përmes mësuesve të cilët janë pjesë e shkollës verore për të mësuar përmes argëtimit, për të kaluar dy javët pas procesit dhe për të kaluar këtu pikërisht në mjedisin e shkollës kohën përgjatë verës duke u argëtuar, duke mësuar, duke rritur aftësitë e tyre dhe sigurisht duke i siguruar të gjithë ato parametrat që lidhen me sigurinë e fëmijëve brenda mjediseve të shkollës.”
Duke vlerësuar mbështetjen e bashkive dhe partnerëve, Ministrja Manastirliu nënvizoi se:
“Ky është një projekt pilot, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ëorld Vision, por edhe bashkitë, për të vlerësuar mundësinë e shtrirjes së mëtejshme gjatë viteve të tjera. Ajo që ne po vlerësojmë është që, në fakt, bashkitë të mundësojnë edhe shërbime të tjera jashtëshkollore, siç janë shkollat që funksionojnë edhe jashtë orarit mësimor apo programet after-school pas mësimore, ku ne jemi duke punuar për të ndërtuar programe që i vijnë në ndihmë të gjithë nxënësve, por gjithashtu edhe prindërve për oraret pas mësimit.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Në programin e Shkollës Verore angazhon 150 punonjës arsimorë, përfshirë mësues, punonjës psiko-socialë dhe oficerë sigurie. Programi mbështetet gjithashtu nga 100 gjimnazistë vullnetarë të shkollave të mesme, të cilët japin ndihmesën e tyre në shkollat pranë komuniteteve të tyre.
Në përfundim, Ministrja falënderoi mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe përfaqësuesit vendorë për angazhimin dhe mbështetjen në realizimin e këtij modeli që synon ta bëjë shkollën një hapësirë funksionale për fëmijët edhe gjatë verës.
Shkolla “Halit Çoka” është një nga institucionet me infrastrukturën më të mirë në Bashkinë e Kamzës dhe ka vënë në dispozicion të programit të verës të gjitha ambientet shkollore: klasa, laboratorin inteligjent, palestrën, bibliotekën dhe hapësirat artistike.
Programi ndërthur përforcimin e njohurive me argëtimin përmes lojërave, aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive. Gjithashtu, është siguruar një vakt ushqimor për çdo fëmijë pjesëmarrës. Shkolla “Halit Çoka” udhëheq gjithashtu Klubin e Lojërave Logjike dhe Strategjike, si pjesë e qasjes së re që po pilotohet në këto shkolla, ku secila udhëheq një klub tematik në fushat e artit, teknologjisë, sportit apo gjuhëve të huaja.
Komente
