Manastirliu në Kuvend: Sot vijnë 8190 doza të tjera vaksinash nga kontrata me Pfizer(VIDEO)

22 Shkurt 2021, 12:37| Përditesimi: 22 Shkurt 2021, 14:56

  • Share

Sot pritet të mbërrijnë në Shqipëri dhe 8190 doza të tjera vaksinash nga Pfizer. Këtë e ka konfirmuar vetë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë seancës plenare.

Ajo u shpreh se Shqipëria futet në kategorinë e vendeve që tashmë ka filluar procesin e vaksinimit ndërsa 140 vende të tjera nuk kanë arritur ta fillojnë.

"Bota sot është e ndarë në dy kategori shtetesh. Shtetet që e kanë nisur fushatën e vaksinimit dhe ato që nuk kanë marrë asnjë dozë. Janë 140 vende që nuk e kanë nisur vaksinimin. Kemi mbi 4600 infermierë më të mbrojtur për shkak të vaksinimit. Ne kemi bërë përpjekje për të siguruar një kontratë me Pfizer për 500 mijë vaksina nga e cila kanë mbërritur 8000 doza deri më sot dhe pritet lëvrimi i 8190 doza të tjera po sot. Janë dhe 400 të moshuar mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh më të mbrojtura për shkak të vaksinimit. Shumica dërrmuese janë qytetarë të zakonshëm" - tha Manastirliu.

Ministrja gjithashtu i është përgjigjur dhe kritikave mbi vaksinimin e personaliteteve. Manastirliu tha se ata janë seleksionuar vetëm në bazë të kriterit të moshës mbi 80 vjeç.

"Dua të shpreh keqardhjen për dezinformimin që ushqeu disa reagime të pajustifikueshme njerëzish publikë për vaksinimin e disa qytetarëve që ishin pjesë e këtij grupi të parë, pikësëpari se ishin mbi 80 vjeç. Vërtet janë personalitete që i bëjnë nder këtij vendi, por ama vetëm kriteri i moshës u mundësoi që të ishin pjesë e procesit të moshuar në azile" - tha Manastirliu.

Tashmë, krahas vaksinimit të bluzave të bardha, ka nisur dhe procesi i vaksinimit për të moshuarit mbi 80 vjeç në azile si dhe stafin që kujdeset për ta. Ky proces ka nisur në disa qytete si Tiranë, Shkodër, Elbasan e Vlorë. Ndërkohë ditën e djeshme ka nisur dhe procesi i vaksinimit të personaliteteve mbi 80 vjeç. Manastirliu u shpreh sot se deri më tani janë vaksinuar mbi 4600 bluza të bardha dhe mbi 400 të moshuar dhe kujdestarë të tyre në azile.


Lajmi kryesor:

Kuvendi shtyn afatin e komisionit për raportin e Dick Marty-t, mjetet e identifikimit të personave mbi 75-vjeç bëhen të përjetshme


E.M.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?