Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 9 nëntorit.
Manastirliu ka nisur nga Njësia Nr. 1 në kryeqytet, ku deklaroi se fushata do të prekë çdo lagje, çdo bllok banimi dhe çdo cep të Tiranës, me qëllim dëgjimin dhe bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.
Kandidatja socialiste shpalosi edhe vizionin dhe prioritetet e saj për Tiranën.
Manastirliu theksoi se pikë kyçe e programit të saj është rikthimi i hapësirave publike për qytetarët.
“Çlirimi i hapësirave dhe kthimi i tyre për komunitetin është një nga angazhimet tona më të rëndësishme. Ky plan do të zbatohet në mënyrë kapilare në të gjitha njësitë administrative të Tiranës, duke përfshirë jo vetëm rrugët kryesore, por mbi të gjitha hapësirat brenda blloqeve të banimit,” u shpreh Manastirliu.
Ajo theksoi se vizioni i saj është ta kthejë Tiranën në një qytet ku hapësirat e përbashkëta rrisin cilësinë e jetës dhe mirëqenien e komuniteteve.
“Ne duam që çdo hapësirë të kthehet në një vend të gjelbër, të shëndetshëm e çlodhës për familjet, të rinjtë dhe të moshuarit. Për këtë po punojmë ngushtë me sipërmarrjen dhe grupet e arkitektëve, në mënyrë që Tirana të ketë gjithnjë e më shumë kënde të bukura, funksionale dhe moderne,” theksoi ajo.
Kandidatja socialiste për Bashkinë e Tiranës shprehu vendosmërinë për të qenë pranë qytetarëve në çdo lagje të kryeqytetit, duke i kthyer takimet në forume të hapura ku diskutohet për sfidat.
“Ne kemi një plan të qartë, të strukturuar dhe intensiv për transformimin e Tiranës. Jam e bindur se, së bashku me qytetarët, do ta bëjmë realitet një qytet më të gjelbër, më të bukur dhe më miqësor për komunitetin. Kjo është Tirana që duam dhe kjo është Tirana që do të ndërtojmë bashkë,” deklaroi Ogerta Manastirliu.
Komente
