Politikë

TikTok do mbyllet për 1 vit në Shqipëri, ndalimi nis pas 1 jave! Rama: Do vendosim filtra për sigurinë e fëmijëve, kompania së shpejti në Shqipëri me planin e masave (VIDEO)

6 Mars, 12:31| Përditesimi: 6 Mars, 16:43

  • Share

TIRANË- Në mes të këtij muaji, askush nuk mund të përdorë më TikTok në Shqipëri. Me vendim të qeverisë, kjo platformë do të mbyllet përmes Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe ky kufizim do të vlejë për të paktën 12 muaj. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu që prezantoi vendimin tha brenda pak ditësh Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën kineze.

“Qeveria ka marrë vendimin për mbylljen e përkohshme të platformës online TikTok. Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh konsultative me prindër, rreth 65 mijë prindër të pyetur në mbi 1300 takime për efektet që lidhen me sigurinë në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara, mund të sjellin në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve. Në të gjitha këto takime, prindërit kanë qenë pro mbylljes ose kufizimit të platformës TikTok.

Kemi analizuar efektet që vijnë nga këto paltforma, kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve apo me raste të dhunës fizike. Grupi i punës ka patur në përbërje të gjithë autoritetet përkatëse, duke marrë faktet dhe elementet që kanë patur rëndësi maksimale, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit në Tik Tok, për një përiudhë 12 mujore që do na lejojë marrjen e masave në bashkërëndim me përfaqësuesit e platformës TikTok. Kemi nisur një komunikim me TikTok që ka të bëjë me marrjen e masave të mëtejshme, duke vendosur këto filtra ndalojmë promovimin e sjelljeve të padëshirueshme. Është mbyllje e përkohshme e aksesit në Tik Tok, i kemi dhënë vetes deri në 12 muaj kohë, që të marrim të gjitha masat e nevojshme”, tha Manastirliu.

Një reagim erdhi nga kreu i qeverisë, Edi Rama i cili thekson se mbyllja është  përkohshme dje janë në diskutime me kompaninë për të vendosur filtra. Kryeministri thekon se vendimi u mor pas një konsultimi të gjerë më 65 mijë prindër e mësues, ndërkohë që përfaqësues të kompanisë do të vijnë së shpejti në Shqipëri dhe do të prezantojnë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve. 

“Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi", shkruan Rama. 

Rihapja e Tik Tok do të realizohet vetëm nëse kompania kineze do të vendosë filtra që të shmanget gjuha e dhunës dhe përmbajtjet problematike në këtë platformë.

“Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. Një mbyllje e përkohshme do të thotë që i kemi dhënë vetes 12 muaj kohë për të bërë të mundur që, në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës së TikTok, të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vendosur kushtet dhe kriteret e duhura në mënyrë që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë.

Do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e cila, me entet përkatëse, do të punojë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, që mund të jetë disa ditë ose një javë e pak, do të mundet që të realizojë këtë ndërprerje të aksesit në platformën TikTok.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Vendimi nxiti direkt reagimin e kreut të PD, Sali Berisha i cili në një deklaratë nga selia blu e cilësoi akt censure dhe më 15 mars njoftoi protestë kundër mbylljes së TikTok.

"Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila ka pushtuar sot, ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe në botë", tha Berisha. 

Tik Tok në Shqipëri është një platformë me mbi 1 milionë përdorues, gjerësisht në funksion edhe për biznes. Vendimi për mbylljen e TikTok u mor nga qeveria pas një konsultimi të gjerë publik në dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.

Ora 14:59
Mbyllja e TikTok në Shqipëri, Asociacioni i Gazetarëve: Hap ekstrem, po e afron vendin me regjime autoritare që kufizojnë lirinë e fjalës përmes censurës digjitale

Foto: Logo e TikTok

Asociacioni i gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar mbi mbylljen e TikTok-ut nga qeveria shqiptare për një vit.

Në një njoftim zyrtar për mediat ata shprehen se ky vendim është ekstrem dhe i pajustifikuar. Sipas tyre ky hap cënon të lirinë e shprehje së qytetarëve.

Deklarata e plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon vendimin e qeverisë shqiptare për të mbyllur rrjetin social TikTok, një hap ekstrem dhe i pajustifikuar që cënon lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

AGSH e ka ngritur më herët shqetësimin për fenomenet negative në rrjetet sociale, si gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi. Megjithatë, zgjidhja nuk mund të jetë mbyllja arbitrare e një platforme të tërë, por përmirësimi i politikave rregullatore dhe edukimi mbi përdorimin e sigurt të mediave sociale.

Ky vendim krijon një precedent të rrezikshëm dhe e afron Shqipërinë me regjime autoritare që kufizojnë lirinë e fjalës përmes censurës digjitale. Mbyllja e një rrjeti social të përdorur gjerësisht nga qytetarët, bizneset dhe gazetarët dëmton rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën për të komunikuar lirshëm.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar në disa raste se ndalimi i plotë i platformave online bie ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Shqipëria, si një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të respektojë këto standarde dhe të mos ndërmarrë hapa që e izolojnë nga vlerat demokratike.

AGSH do të ndërmarrë hapa ligjorë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për ta sfiduar këtë akt, fillimisht në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.

Ora 12:58
Sali Berisha protestë kundër mbylljes së TikTok: Akt censure

 

Akt censure e ka quajtur Sali Berisha vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok me 12 muaj. Berisha tha se më 15 mars do organizojnë protestë, përmes së cilës do të kërkojnë anulimin e vendimit.

"Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Çapo, njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTokut për 12 muaj. Me këtë akt censure të mbi 1 milion përdoruesve të TikTokut në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin.

Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila ka pushtuar sot, ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe në botë.

Të pretendosh se po ecën drejt Europës dhe të rreshtosh Shqipërinë me Iranin, Afganistanin, Somalinë, bën një akt monstruoz kundër fjalës së lirë, një censurë dhe dëshmon se udhëtimi evropian i Shqipërisë është një hipokrizi për ty.

Rikujtoj këtu se zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance, në fjalën e tij në Mynih, konsideroi mbylljen e medieve sociale si një antivlerë shumë të rrezikshme për shoqëritë e lira, fjalën e lirë dhe mendimin e lirë. T’u heqësh shqiptarëve të drejtën e përdorimit të TikTokut dëshmon se çfarë arbitrariteti.

Ripërsërit ekzakt atë që bënte Enver Hoxha, Spiro Koleka, Kristaq Rama gjatë diktaturës, të cilët valëve të radios dhe televizioneve perëndimore u vinin zhurmues në të katër anët e vendit. Me këtë rast ftoj të gjithë gjimnazistët, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët të nisim betejën për çlirimin e TikTokut dhe përmbysjen e narkodiktatorit. Me datën 15 mars protestë e përgjithshme kombëtare në sheshin ‘Skënderbej’ para kryeministrisë. Një protestë në të cilën kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTokut", tha Berisha. 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kastriot: 06/03/2025 15:06

    Shyqyr qe per vendet autoritate si ky yni frengu ka shpikur vpn

    Përgjigju
  • Nexhi Plaku: 06/03/2025 13:51

    Ide mjafte e mire, te shpetojme femijet dhe te rinjte nga vepra te renda qe tundojne karakterin dhe formimin e tyre.Deri tani ka patur vetem efekte negative tek keto grupe moshe..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?