ANGLI- Është vetëm java e tretë në Premier League dhe duket se lufta për kreun është skenari i vitit të kaluar. Kampionia në fuqi Manchester City fillon ndjekjen në kre të Liverpool, skuadër së cilës ia rrëmbeu vitin e kaluar trofeun.
Ndeshja ndaj Bournemouth fillon vrullshëm, si një futboll tipik anglez dhe në minutën e 13' një rast i diskutueshëm u la në harresë me një karton të verdhë. Callum Wilson iu shkëput në krahun e majtë mbrojtjes së City dhe portieri Ederson me një dalje u përpoq ta ndaljë, por në vend të topit gjeti këmbën e sulmuesit. Arbitri i ndeshjes Andre Marriner vendosi t'i japë karton të verdhë brazilianit.
Edhe pse javën e kaluar The Citizens u ndalën përballë Totenham në shtëpi duket se ekipi i Guardiolës ka reflektuar duke marrë një fitore bindëse 1-3 në fushën e Bournmouth. I përhershmi Aguero hapi serinë e golave në minutën e 15' ndërsa ai i cili është kthyer në një lojtar kyç për të kaltrit, Raheem Sterling shënoi golin e dytë duke shkuar në kuotën e 5 golave të shënuar brenda 3 ndeshjeve të para të Premier League.
Por pjesa e parë u mbyll me surprizë. Lojtari i Bournemouth Harry Wilson shënoi një supergol në minutën e 45 pasi e çoi topin në trekëndësh, aty ku portieri Ederson u hodh thjesht për incerci të aksionit.
Por në pjesën e dytë ndeshjen do e vuloste përsëri Aguero, me një gol në minutën e 64' pas një asisti të David Silvës i cili ishte protagonist edhe në golin e Sterling. Me këtë fitore Manchester City shkon në kuotën e 7 pikëve, 2 pikë më pak se Liverpool i cili udhëheq Premier League me 9 pikë të plota.
Komente
