Shpresa e madhe e futbollit anglez, Jadon Sancho i Manchester United nuk ishte në skuadrën për derbin kundër Arsenalit në fillim të shtatorit, gjë që trajneri i skuadrës, Erik ten Hag ia faturoi mos stërvitjes së lojtarit. Sancho u përgjigj duke deklaruar se ai ishte bërë "kokë turku" për të gjitha problemet që mundojnë klubin dhe që atëherë ka qenë jashtë ekipit të parë dhe gjithashtu është pezulluar zyrtarisht nga të gjitha aktivitetet e ekipit.
Mediat angleze raportojnë se Manchester United është shumë rigoroz për këtë çështje, pasi kjo në praktikë do të thotë se Sanchos i mohohet afrimi në çdo zonë të qendrës stërvitore që është menduar për ekipin e parë.
Sancho nuk ka as akses në restorantin ku darkojnë anëtarët e ekipit të parë dhe kështu duhet të darkojë me anëtarët e të rinjve, që sigurisht është një poshtërim i madh për një nga lojtarët më të shtrenjtë në historinë e klubit.
Lufta e ftohtë mes Ten Hag dhe Sanchos ka mbretëruar prej disa javësh dhe gazeta Mirror pretendon se holandezi është gati të rikthejë ish-yllin e Dortmundit në ekipin e parë, por me kusht që të kërkojë falje për sjelljen e tij.
Për sa kohë që fërkimi mes tyre nuk zbehet, largimi i Sanchos nga ekipi ka gjithnjë e më shumë gjasa dhe klubet nga Arabia Saudite do të donin ta shfrytëzonin sa më shpejt mundësinë, të cilat për momentin janë të vetmet që mund ta marrin përsipër pagën e tij prej 400.000 euro në javë.