Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është drejtuar ditën e sotme me një shkresë kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali ku u kërkon të mbledhë Këshillin për Rregulloren në lidhje me mandatin e deputeti të PS, Vullnet Sinaj.
Në shkresën drejtuar kryeparlamentares, Bardhi thotë se 1/10 e deputetëve kanë kërkuar ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj si dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese.
Bardhi thote se është penguar vijimi i procedurës parlamentare dhe dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, pasi në datën 18 Shtator 2024, Kryetarja e Kuvendit nuk ka thirrur më mbledhje të Këshillit për Rregulloren.
“Ky pengim i Kryetares së Kuvendit është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, dhe gjithashtu një cënim flagrant i të drejtës kushtetuese të 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në këto kushte, në përputhje me nenet 70, pika 4, të Kushtetutës dhe nenit 13 e 119/1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkojmë: (i) Të thërrisni mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet për vijimin e shqyrtimit të mocionit të paraqitur nga subjekti kushtetues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit; si dhe (ii) Përfshirjen në Rendin e Ditës së një prej seancave më të para të Kuvendit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”, thuhet në letër.
PD ka bërë një kërkesë për heqjen e mandatit për deputetit Sinaj. Partia Demokratike pretendon se socialisti Vullnet Sinaj ka përfituar tendera publikë për kompanitë e tij private edhe pse Kushtetuta e ndalon deputetin të përfitojë nga paratë publike. Për këtë arsye opozita kërkon që Parlamenti të votojë pro dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të deputetit Vullnet Sinaj dhe gjykata të vendosë nëse ai e ka shkelur apo jo Kushtetutën.