Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi paraqiti draft raportin që do i dorëzohet kuvendit ku analizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i sugjeron Kuvendit hapat që duhet të ndërmarrë për zbatimin e vendimit të kësaj gjykate.
“Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash.
K ryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato” tha Çupi
Nga ana e saj deputetja socialiste Klotilda Bushka tha se nuk ka nevojë për mendim të arsyetuar nga ana e këshillit, pasi kemi të bëjmë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese
"Biem dakort që kryetares t'i propozohet që projektvendimi të përfshihet në seancën e parë plenare" tha Bushka.
Këshilli i Legjislacionit 4 rekomandime Kuvendit
1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin.
"Ne kemi detyrimin të veprojmë me përparësi, të respektojmë dhe kërkojmë të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Përmes një vendimmarjje të detyrueshme të Kuvendit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese" tha Dhurata Çupi.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) DRAFT RAPORTI
Lajmi kryesor:
PS e PD dakord për mandatin e Olta Xhaçkës! Kuvendi vendos më 12 shtator! Draft raporti i 'Legjislacionit': Deputetët të detyrohen të votojnë pro çuarjes në Kushtetuese
S.G/ReportTv.al