Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali

Mandati i Olta Xhaçkës përsëri ‘mollë sherri’, Bardhi akuzon Spiropalin: Po shkelni ligjin, mblidhni seancën e jashtëzakonshme brenda 3 ditëve!

9 Gusht, 13:25| Përditesimi: 9 Gusht, 14:17

  • Share

Mandati i deputetes socialiste Olta Xhaçka rikthehet si “mollë sherri” mes dy kampeve politike.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi sot (9 Gusht) se i ka kthyer zyrtarisht përgjigje letrës së Kryetares së Kuvendit, për mosmbledhjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme, për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në letrën e firmosur nga kreu i grupit, Gazment Bardhi, nënvizohet se “mbledhja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga jo më pak se një e pesta e deputetëve, si një prej subjekteve kushtetuese që përmendet shprehimisht në nenin 74, pika 2 e Kushtetutës, është e detyrueshme për Kryetaren e Kuvendit, që ka vetëm një përgjegjësi që datën e sesionit ta caktojë brenda periudhës “3 ditë nga paraqitja e kërkesës”.

Letra e kreut të grupit të PD për kryeparlamentaren

PD pretendon se kryeparlamentarja aktuale, Elisa Spiropali, ka thirrur në fakt një sesion të jashtëzakonshëm të Kuvendit, duke urdhëruar “mbledhjen jashtë sesionit të Këshillit të Legjislacionit”, por “në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, ka caktuar mbledhjen e organeve të Kuvendit përtej afatit “3 ditor” që përcakton qartësisht Rregullorja; dhe së dyti, nuk ka caktuar mbledhje të seancës plenare”.

Për rrjedhim Grupi Parlamentar demokrat e konsideron mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit në këtë rast si krejtësisht të panevojshëm. Opozita këmbëngul se Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 55/2024 e ka konsideruar se “Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën, për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet”.

“Si rregull, mbledhja e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm, pra në një seancë plenare të jashtëzakonshme, paraprihet edhe nga mbledhja e organeve të tjera të Kuvendit, pra të komisioneve apo këshillave parlamentar. Për këtë arsye, pika 2 e nenit 42 të Rregullores së Kuvendit, ka vendosur dy detyrime për Kryetarin e Kuvendit, për thirrjen e një sesioni të jashtëzakonshëm (1) Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës; (2) Caktimi i një rendi të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare brenda këtij afati”, sqarohet në përgjigje.

Më tej akuzohet kryeparlamentarja Spiropali dhe “konsiderohet me padije juridike” dhe si “shkelëse e rëndë e Kushtetutës”. 

“Qëndrimi juaj cenon rëndë parimet e shtetit ligjor, parimin e hierarkisë së akteve normative dhe parimin e supremacisë së Kushtetutës”, pretendon PD në letrën-përgjigje, e bërë edhe publike.

Letra e Gazment Bardhit për Spiropalin

Opozita thekson se Spiropali kishte detyrimin kushtetues që të caktonte një rend dite për mbledhjen Këshillit të Legjislacionit dhe të seancës plenare, “brenda afatit të posaçëm të caktuar nga rregullorja e Kuvendit”, pra “jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës”.

Dhe në fund Bardhi ripërsërit qëndrimin që kryeparlamentarja Spiropali të respektojë Kushtetutën, afatet ligjore dhe të mbledhë seancën e jashtëzakonshme. Kujtojmë se sesioni parlamentar për këtë sezon ka përfunduar në fund të muajit korrik.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?