Komisioni i Venecias dhe Olta Xhaçka

Mandati i Xhaçkës, Komisioni i Venecias e shqyrton më 6-7 dhjetor, një mision faktmbledhës në Tiranë të dëgjojë palët

25 Shtator, 18:29| Përditesimi: 25 Shtator, 19:55

  • Share

Komisioni i Venecias pranon kërkesën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe detyrimit për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa u përcoll nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali drejtuar Presidentes së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie

Në përgjigjen e saj, Presidentja e Komisionit të Venecias informon se kjo çështje është vendosur për shqyrtim në mbledhjen e Komisionit të javës së parë të dhjetorit. Ndërkohë një mision faktmbledhës do vijë më herët të dëgjojë palët.

“E dashur Kryetare, Ju faleminderit për letrën tuaj të datës 13 shtator 2024, me anë të së cilës kërkoni opinionin e Komisionit të Venecias për raportin ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese, në kuadrin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Nëpërmjet kësaj letre konfirmoj gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të përgatitur këtë opinion për miratim në seancën plenare të 141-të (6-7 dhjetor 2024). Dëshiroj t’Ju shpreh mirënjohjen time për besimin ndaj Komisionit të Venecias. Juaja sinqerisht, Claire Bazy Malaurie”.

Pasi PS nuk dërgoi mandatin e Xhaçkës për verifikim në Kushtetuese, Kryetarja e Kuvendit iu drejtua Komisionit të Venecias një letër për të marrë opinion nëse Gjykata Kushtetuese mund të imponojë një deputet se si duhet të votojë. Opinioni nga Komisioni i Venecias kërkohet të kërkohet për të qartësuar sjelljen me rastet që do të pasojnë, për të shmangur një tjetër përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit. 

Kujtojmë që në seancën e 13 shtatorit në Kuvend, PS nuk zbatoi për herë të dytë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke mos dërguar për verifikimin mandatin e Olta Xhaçkës. 65 ligjvënës socialistë abstenuan, 9 votuan kundër dhe 25 deputetë të opozitës votuan pro.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?

Mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt, tha Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 10 korrik 2024 ku shfuqizoi vendimin e parlamentit i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në muajin prill, socialistët e interpretuan votën e tyre me faktin se pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, deputetët, sipas kushtetutës janë të lirë në vendimmarrjen e tyre. Por me vendimin e 10 korrikut iu bë e qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.

Çështja “Xhaçka” ka nisur që prej qershorit të vitit 2022, kur opozita kërkoi heqjen e mandatit të saj me argumentin se deputetja socialiste është në konflikt interesi për shkak të titullit investitor strategjik që bashkëshorti i saj gëzon me vendim qeverie.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Zimba zumba: 25/09/2024 20:08

    Kete e shpeton sistemi jo Venezia por edhe Venediku nuk ka cti beje! U dogj kot tigri po hajt mo , te ikte dhe ai ne venedik

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?