TIRANË - Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka hapur vakancën për 5 vendet e Komisionit Rregullator ( 2 PD dhe 3 PS), një nga tre shtyllat e KQZ-së, për shkak se iu mbaron mandati më 5 Tetor. Vakanca u kap edhe për zëvendësimin e Lealba Pelinkut, nënkomisioneren e PD-së.
Rregullatori aktual do të vijojë përtej 5 Tetorit deri kur të zgjidhen kandidatët e rinj, të cilët do të kenë afat 20 ditë kohë për të paraqitur dokumentet. Megjithatë, kryetari i Komisionit Ulsi Manja theksoi se për vijimësinë e rregullatorit aktual do të kërkojë mendimin e shërbimeve juridike të Kuvendit për të parë praktikat e ndjekura më herët.
"Komisionit Rregullator në KQZ i mbaron mandati më 5 tetor. Duhet ta kishim hapur garën 30 ditë përpara, por Kuvendi nuk ishte konstituar. Hapim menjëherë garën. Kandidatët mund të propozohen dhe të vetë ofrohen. ", theksoi Manja.
Nga ana e tij, Damian Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e përshpejtimit të procedurës për shkak të afërsisë me zgjedhjet që do mbahen më 9 Nëntor në 6 bashkitë e vendit, përfshirë Tiranën.
“Ka një lloj urgjence për shkak edhe të zgjedhjeve. Do mbështeten nga grupime politike. Të procedojmë shpejt. Brenda seancës së radhës t'a kalojmë. Të ngremë që sot një nënkomision për vlerësimin e kandidatëve. Rregullatori i ri do përgatisë aktet për zgjedhjet e parakohshme. “, shtoi Gjiknuri.
Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, propozoi që anëtarët aktualë të vijojnë në detyrë deri në zgjedhjen e pasuesve, duke argumentuar se ata janë garancia e vetme e opozitës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 9 nëntorit. Ndërsa Oerd Bylykbashi, teksa theksoi rëndësinë e shpejtimit të këtij procesi, vijoi me akuzat se dekreti i djeshëm i presidentit Bajram Begaj është antikushtetues dhe nul.
“Pa u shprehur Gjykata Kushtetuese nuk mund të ketë zgjedhje të pjesshme në këto bashki. Sa i takon Rregullatorit, duhet të ndodhë patjetër, me urgjencë. Të gjenden procedurat për aksesin e kandidatëve që duan të kandidojnë, edhe transparencën. Ta nisim menjëherë. Të ruhet balanca brenda kësaj trupe.”, tha Bylykbashi.
Komente
