Ish-deputeti i PS Petro Koçi ka deklaruar se priste më shumë prurje të reja në qeverinë e re. I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Ermal Qori, Koçi zbuloi edhe emrin e ministrit që e befasoi në qeverinë e Ramës.
‘Është thënë se Rama ka përgjegjësi për ngritjen dhe funksionin e ministrisë së Inteligjencës Artificiale. Ajo është një truk kibernetik nuk është se është një gjë konkrete. Pjesa tjetër mendoj unë do prisja pak më shumë ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar. Mendoja se do të kishte më shumë prurje të reja në qeverinë e re. Ministria e Brendshme me Albana Koçiun, ajo është një zonjë me vlera të mëdha dhe do t’ja dal. Ministri i drejtësisë më ka befasuar sepse ishte shumë pozitive, ai është një djalë i zoti’, tha ai.
Lidhur me mungesën e opozitën në seancën e sotme plenare në Kuvend, ai tha se ky skenar i opozitës ishte parashikuar të ishte i tillë.
‘Ky është një lajm i vjetër. Lëvizjet e opozitës janë të lexueshme, e dinim që këtë lojë që bënin. Çdo pretendim që ka opozita për defekte në proces duhet marr në konsideratë por ata duan që të godasin zgjedhjet dhe jo ti rregullojnë. Thonë do bëjnë protestat dhe nuk sjellin asgjë dhe i sjellin avantazh mazhorancës’, tha ai.
Ish- deputeti socialist u shpreh optimist se brenda 2030 Shqipëria do të hyjë në BE. Ndarjen e re të komisioneve parlamentare, ai e cilësoi si një zgjedhje efikase për funksionimin sa më të mirë të tyre.
‘Shenjat janë të mira që të mbyllen të gjithë kapitujt. Jemi në një moment pozitiv. Brenda 2030 më të dhënat që kemi duhet të jemi shpresë plot se kjo do të ndodh. E rëndësishme është që politika shqiptare t’i përgjigjet këtij çasti me energji të plotë. Përveç PS asnjë parti tjetër se kishte në agjendë integrimin dhe tani thonë na keni hequr Komisionin e Integrimit. Ne e kemi diskutuar numrin e komisioneve dhe numrin e deputetëve që duhet të jetë në komisione. Sepse do të duhej që shumë deputet të ishin njëkohësisht në shumë komisione dhe me këtë ndarje të re kemi një lehtësim. Ata se kanë në agjendë integrimin se di pse do të duhet që të drejtonin një komision, kjo është çështje vullneti që PS e ka dëshmuar deri tani’, tha ai.
Një koment e pati edhe për gjyqin në Hagë ndaj ish- krerëve të UÇK.
‘Është bërë e qartë që ajo gjykatë që kur u ngrit ishte një gabim, dhe fajtor jemi të gjithë sepse krijuam iluzion për të hequr çdo njollë fajësimi që i bëhej luftës së UÇK. Ajo gjykatë nuk është se është ngritur pa vullnetin e SHBA. Por më vonë, ajo u kthye në instrument në duart e atyre që ishin kundër UÇK dhe Kosovës dhe në shërbim të Serbisë’, tha ai.
Komente
