Mario Mandzukic është zyrtarisht futbollist i ri i Milanit. ‘Djalli’ ka njoftuar në faqen zyrtare se ka arritur marrëveshjen me sulmuesin 34-vjeçar që së fundmi ka qenë pa ekip. Në komunikimin e Milanit thuhet se me kroatin është arritur një marrëveshje deri në qershor, me opsion zgjatjen edhe për një vit. Në pikëpyetje është forma fizike që ka futbollisti, por vetë ai i ka garantuar Maldinit se drejtuesit do të habiten pavarësisht se ai nuk ka qenë në aktivitet.
Ndërkohë sot nga Spanja e japin me siguri se David Alaba do të jetë futbollisti i ri i Real Madridit. Austriaku është në vitin e fundit me kontratë me Bayern-in dhe në qershor del i lirë. Për ta bindur ‘galaktikët’ i kanë siguruar një kontratë 4-vjeçare me 11 milionë euro në sezon. Sakaq vetë futbollisti ka kaluar teste fizike në praninë e një doktorri të Real Madrid dhe ka hedhur të zezën mbi të bardhë. Për Alaba-n më herët ishin interesuar Manchester City, por edhe Paris SG.
Sakaq me ardhjen e Alaba-s Real Madrid do përpiqet të sistemojë Marcelo-n, qoftë edhe në merkaton e janarit. Për brazilianin pista e re është Monaco, klubi që i ka ofruar një kontratë 3-vjeçare me 6 milionë euro në sezon. Mbetet për t’u parë edhe dëshira e 32-vjeçarit, ndërkohë që edhe klube të tjera vijojnë të mbeten të interesuara.