Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, priti sot në Tiranë Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Drejtësisë së Ukrainës, Olha Stefanishyna, në një takim që konfirmon partneritetin e qëndrueshëm mes dy vendeve dhe përkushtimin e përbashkët për drejtësinë dhe integrimin europian.
Gjatë takimit u diskutua forcimi i bashkëpunimit institucional dhe u ra dakord për:
-Nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë
-Shkëmbimin e përvojave në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit
-Mbështetjen e ndërsjellë për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian
-Zhvillimin e bashkëpunimit në sistemin penitenciar dhe në mjekësinë ligjore.
Ministri Manja rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në krah të Ukrainës dhe në mbështetje të së drejtës ndërkombëtare përballë agresionit rus. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë në dokumentimin dhe ndëshkimin e krimeve të luftës përmes mbështetjes ndaj Tribunalit për Ukrainën.
“Drejtësia ndërtohet çdo ditë me partneritet, vullnet dhe miq që nuk të lënë vetëm,” deklaroi ministri i Drejtësisë, duke vënë theksin tek vlerat e përbashkëta që i bashkojnë dy vendet në rrugën drejt Europës.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës dhe një kontribut domethënës në ndërtimin e një arkitekture drejtësie më të fortë në rajon dhe më gjerë.
Komente
