Ylli Manjani

Politikë

Manjani kritikon nene të tjera të Kodit Penal të ndryshuar: Korruptimi i termave, sjell padrejtësi në sistem! Të kthehemi te logjika

30 Korrik, 09:36| Përditesimi: 30 Korrik, 09:45

  • Share

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka vijuar analizimin dhe gjetjen e pikave kritike apo paradokseve të jurisprudencës, mbi draftin e ri të Kodit Penal, duke ngritur shqetësimin për devijimin e termave juridikë nga kuptimi i tyre klasik.

Ai thekson se përzierja e termave si “trafik” dhe “kontrabandë” sjell konfuzion, cenon logjikën e së drejtës dhe prodhon padrejtësi sistematike.

Me një postim të radhës në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, juristi jep shpjegime të detajuara të këtij konfuzioni ligjoro-penal.

Edhe në një postim të një ditë më parë, Manjani kritikonte termin e korrupsionit, duke shpjeguar se afera korruptive nuk bëhet me llafe në gjykatë, por me ballafaqim në prova, duke ngritur shqetësimin se me këto ndryshime do e pësojnë kryesisht njerëz të pambrojtur.

Shënimi i plotë i Ylli Manjanit:

“Trafik apo kontrabandë?

Llogjika bazike, që buron nga përkufizimi klasik e termave, na sugjeron që futja e drogës në territorin e Republikës së Shqipërisë të quhet KONTRABANDË.

Ky është definicioni klasik i kontrabandës. Pra ndalimi i futjes në territor i sendeve/mallrave të ndaluara.

Sot për sot kontrabandën ne e lidhim më së shumti me evavionin fiskal, pra me shmangien nga detyrimet doganore. Në fakt evazioni fiskal dhe kontrabanda duhen të jenë dy vepra më vete, sepse janë dy kuptime të ndryshme të fjalëve.

Janë dy sjellje të ndryshme të shkelësve të ligjit dhe me qëllime të ndryshme.

Prandaj jam që të kthehen në origjinal këto dy terma si vepra penale më vete. Kontrabanda si koncept i mbrojtjes së territorit nga sendet e ndaluara dhe evazioni fiskal si mbrojtje e financave publike.

Me këtë rast bie edhe llogjika krejt pa llogjikë që kemi sot në kodin penal, ku edhe eksporti quhet kontrabandë.

Nëse pranojmë këtë koncept mbi kontrabandën, që është në fakt origjinali, atëherë llogjikshëm edhe ata që sot i quajmë si trafikantë droge, do duhet të quhen kontrabandistë. Sepse në fakt ata fusin në territor një mall të ndaluar. Pastaj e fusin për ta shitur këtu, për ta shitur jashtë, për pa përpunuar dhe shitur etj, e bën kontrabandën si vepër penale të cilësuar.

Por në thelb futja e drogës në territor është kondrabandë, jo trafik.

Pastaj çdo me thënë trafik?

Ky është term nënpunësish ndërkombëtarë, ose term lajmesh por jo definicion i një vepre penale të një shteti të vetëm.

Ndaj them se duhet të ktheheni tek koncepti origjinal i termave të drejtësisë penale.

Duke bërë këtë, shteti jonë jep mesazh të qartë:

-në territorin tim nuk e lejoj këtë produkt.

Po i the kontrabandistit trafikant i ke dhënë "medalje", sepse e ke amnistuar nga dëmi që i ka bërë autoritetit të shtetit,territorit dhe shoqërisë që jeton në të.

Në këtë territor, kush fut drogë duhet të quhet kontrabandist. Në territoret e tjera vendosin ligjet e shteteve të tjera. Çdo me thënë kjo të dënosh shtetasit e tu për aktivitete të ndaluara që nuk i bëjnë në territorin tënd?!

Pastaj si e provon këtë gjë, kur aftësia provuese e shtetit shtrihet strikt mbi territorin ku vepron ligji. Apo futja në top se kështu na thonë të huajt, agjensitë, ambasadat. Pffff...

Ja pra që një korruptim i termave penalë në Kodin Penal passjell një sistem të tëre abuziv dhe thellësisht të padrejtë.

Ndaj kodi i ari duhet të kthejë këto terma në origjinal.

Droga quhet kontrabandë.

Trafikun ndërkombëtar le ta dënojnë ndërkombëtarët.

Ne nuk jemi gjykatë e OKB, por shtet modest me ligje e territor të kufizuar.

Gjithnjë meqë jemi në diskutim për Kodin e ri Penal, që edhe në këtë pjesë nuk ndryshon fare nga ekzistuesi”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 31/07/2025 04:23

    Z.Manjani,droga eshte dhe trafik dhe kontrabande njekohesisht.Eshte trafik, sepse eshte gje e ndaluar,por njekohesisht eshte dhe kontrabande,sepse nuk ke paguar taksa per te.Po te jap si shembull rastin me klasik ne bote,Al Caponen.Capone merrej me trafikimin e alkoolit ne vitet 20'te shek XX,sepse alkooli ishte ndaluar me ligj,kur u denua me burg,u denua per evazion fiskal(kontrabande),jo per trafik, sepse nuk kishte paguar taksa per alkoolin edhe pse ishte mall i ndaluar.Jane dy terma te ndryshme,por mund te aplikohen bashke per drogen sic u aplikuan per alkoolin e Capones,Cfare ka te veshtire per t'u kuptuar e interpretuar nga drejtesia jone ketu?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?