Bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, nuk lëshon dyqanet duty free në ambientet e Aeroportit Nënë Tereza në Rinas, ndonëse është njoftuar nga TIA që në 22 shkurt 2019 se ka humbur tenderin për kontrollin e ‘Duty Free’. Pasi kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF) fitoi të drejtën përmes tenderit për menaxhimin e të njëjtës hapësirë në aeroport për 5 vitet e ardhshme, Elona Çaushi dhe kompania e saj Albania Duty Free Distribution (ADFD), është vënë në lëvizje, me qëllim për të vijuar kontrollin e dyqaneve edhe për 5 vitet e ardhshme. Në lojë kanë hyrë menjëherë segmente të drejtësisë shqiptare, por edhe të Ministrisë së Financave, duke prodhuar një tjetër precedent negativ për klimën e biznesit në Shqipëri. Konkretisht, kompania ADFD e Elona Çaushit ka vënë në lëvizje Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar vijimin e aktivitetit tregtar në ambientet e Aeroportit Nënë Tereza në Rinas, në kushtet kur kontrata me TIA-n i mbaronte në 29 gusht të 2019, ndërsa kompania amerikane, sipas kontratës së re, duhet të merrte në dorëzim ambientet në 15 shtator të këtij viti.
Dy vendime brenda javës
Në 1 gusht të 2019, gjyqtari i Tiranës Arjan Aliaj ka marrë në shqyrtim kërkesës së Albania Duty Free Distribution (ADFD) për të vijuar aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit. Çuditërisht, përfaqësuesi i Albania Duty Free Distribution nuk është paraqitur në gjykim, pa shkaqe të arsyeshme, sipas vendimit të gjykatës. Nga ana tjetër, Tirana International Airport ishte njoftuar dhe përfaqësohej në gjykim nga Ilir Alimema. Në mungesë së përfaqësuesit të palës paditëse, gjyqtari Aliaj ka vendosur pushimin e çështjes. Dështimi i këtij gjyqi duket se është i qëllimshëm për arsye të dyshimta, pasi në të njëjtën datë, pra me 1 gusht hidhet një padi tjetër me të njëjtin objekt gjykimi, me një kerkesë për sigurim padie, sërish nga kompania e gruas së Gjin Gjonin. Shtate ditë më vonë në lojë shfaqet një tjetër gjyqtare, konkretisht Mimoza Kajo-Brahimi, e cila shqyrton të njëjtën kërkesë dhe vendos që kompania e Elona Çaushit të vijojë aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit për një periudhë tjetër 5-vjeçare. Pas ‘djegies’ se gjyqit me gjyqtarin Arjan Aliaj, gjyqtarja Mimoza Kajo-Brahimi, e cila nuk i është nënshtruar ende skanimit të trefishtë të Vetingut, ka marrë në shqyrtim kërkesën e ADFD në datën 7 gusht 2019. Po në këtë datë, gjyqtarja, ka marrë një vendim për vazhdimin e aktivitetit të ADFD në zonën e tranzitit në Aeroportin “Nënë Tereza”, deri në zgjidhjen përfundimtare të padisë, pavarësisht faktit që kompania e Elona Çaushit kishte humbur tenderin dhe kontratën me TIA-n.
Rreth vendimit të gjykatëses, nuk njoftohet TIA
Shoqëria Albania Duty Free Distribution shpk (ADFD) e Elona Çaushit ka patur një kontratë “koncesioni” me shoqërinë TIA, e cila i ka mundësuar të zhvillojë tregtinë e ‘Duty Free’ në zonën e tranzitit të Aeroportit Nënë Tereza të Tiranës. Kjo kontratë ka patur si afat të fundit datën 27.08.2019. Pavarësisht se kishte marrë pjesë në tenderin e shpallur nga TIA dhe ishte njoftuar që ne me 22.02.2019 se kishte humbur të drejtën e rilidhjes së kontratës, shoqëria ADFD ka paraqitur këtë kërkesë dhe i ka kërkuar gjykatës ta lejojë që të vazhdojë të ketë në dorë mjediset e aeroportit. Nga ana e saj, gjyqtarja Mimoza Kajo Ibrahimi e ka shqyrtuar këtë kërkesë, ndryshe nga gjyqi i drejtuar nga Arjan Aliaj, pa vënien në dijeni të palës së paditur, TIA,lëvizje kjo që duhet se ia ka bërë më të lehtë për të marrë vendimin në fjalë në favor të bashkëshortes së Gjin Gjonit praktikish pa asnjë kundërshtim në sallë. Pavarësisht përfundimit të kontratës me datë 27.08.2019, sipas gjyqtares Mimoza Kajo-Brahimi, ADFD duhet të vazhdojë të kryejë aktivitetin e saj në aeroport, edhe për një periudhë tjetër 5-vjeçare, jashtë vullnetit të TIA-s, e cila ndërkohë kishte lidhur një kontratë për të njëjtat ambiente me fituesen e tenderit, kompaninë amerikane ICDF.
Pretendimet e kompanisë së familjes Gjoni
Në padinë e paraqitur në gjykatë, kompania e Elona Çaushit pretendon për tenderin e TIA për ‘se ky tender deri në momentin aktual nuk ka konkluduar me një fitues’. Por faktet konfirmojnë të kundërtën. Që ADFD është në dijeni të tenderit, se ka marrë pjesë, se ka humbur dhe që ka një fitues, këtë e konfirmon ne letrën e firmosur nga vetë Elona Çaushi me datë 05 korrik 2019, drejtuar TIA-s ku ajo shprehet: ‘’Ne morëm pjesë dhe humbëm. Morëm vesh nga partnerët tanë që ka fituar ICDF’’. Në padi pretendohet gjithashtu ‘se ADFD ka pasur marrëdhënie korrekte me TIA-n”. Për të hedhur poshtë këtë pretendim mjafton t’i referohemi një shkrese të TIA-së, të datës 31 maj 2019 ku e njofton ADFD për debinë e akumuluar që nga muaji tetor 2018 në shumën 156.163.77 EURO.
Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë
Vendimi i dhënë nga gjyqtarja Mimoza Kajo-Brahimi është një vendim i lëshuar në shkelje flagrante të detyrimeve elementare të gjykatës, siç është e drejta e thirrjes dhe dëgjimit të palës së interesuar si dhe në shkelje të gjithë parimeve qartësisht të përcaktuara nga Kodi i Procedurës Civile, Gjykata e Lartë dhe praktika gjyqësore për marrjen e masave të sigurimit, shoqëruar kjo me një arsyetim absurd të vendimit të marrë. Përveç të tjerash kjo masë sigurie bie haptazi ndesh me një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë.
Bëhet fjalë për vendimin nr. 10 datë 24.03.2004 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ku thuhet se “masa e sigurimit nuk mund të merret për t`u rivendosur gjendja e mëparshme e marrëdhënies kontraktore midis palëve, ashtu siç ka ekzistuar para lindjes se mosmarrëveshjes. Në një këndvështrim më të gjerë, në qofte se në kontratën e lidhur midis palëve është parashikuar që, për shkaqe të caktuara, njëra palë do të ketë të drejtë ta zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme, (sikurse është parashikuar në nenin 13.3 të kontratës), gjykata që shqyrton konfliktin nuk ka të drejtë të urdhërojë paraprakisht rilidhjen e kontratës. Urdhërimi i rilidhjes së kontratës nuk mund të konsiderohet si masë e përkohshme për sigurimin e padisë, në kuptim të nenit 206/b të K. Pr .Civil. Rilidhja e kontratës mund të urdhërohet vetëm me vendim përfundimtar të gjykatës për zgjidhjen e çështjes në themel”.
Vendimi për pushimin e çështjes nga gjyqtari Arjan Aliaj pasi nuk u paraqit përfaqësuesi i kompanisë së gruas së Gjin Gjonit
Edhe për sa do të vazhdojmë të trembim investitorët e huaj?
Shtatori po mbaron dhe kompania ICDF tashmë duhet të ishte në mes të punimeve për ristrukturimin e zonës ‘Duty Free’, për ta hapur për pasagjerët e tranzitit në 1 nëntor. Fitues sipas të gjithë rregullave, drejtuesit e kësaj kompanie presin se kur do të marrë fund ky kalvar situatash të pazakonta për ta, por fatkeqësisht të zakonshme për ne. Tirana International Airport e konsideron marrëveshjen me ADFD-në të përfunduar pa asnjë kthim mbrapa dhe me të drejtat e saj legjitime, duke zbatuar çdo rregullore të brendshme apo të shtetit ku operon, TIA kërkon t’i japë fund kësaj loje të pakuptimtë, që është e humbur nga ana e ADFD-së, por po zgjat mjaftueshëm për t’i treguar ICDF-së dhe kompanive të tjera ndërkombëtare, që në investime të ardhshme t’i bëjnë diku tjetër.
Ndërkohe gruaja e Gjin Gjonit vazhdon me biznesin vet duke injoruar totalisht vullneti e TIA për t’i besuar një kompanie tjetër menaxhimin e Duty Free Shop. Dhe edhe një herë, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, me sa duket një pjesë e drejtësisë vazhdon të veprojë nën ndikim e Gjin Gjonin, i cili edhe nëse përkohësisht është shkëputur, vazhdon të jetë pjesë e drejtësisë.
Rezistenca
Bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, nuk lëshon dyqanet pa taksa në ambientet e Aeroportit Nënë Tereza në Rinas, ndonëse është njoftuar nga TIA që në 22 shkurt 2019 se ka humbur tenderin për kontrollin e ‘Duty Free’
Dy gjyqet
Në 1 gusht të 2019 ‘dështon’ gjyqi me gjyqtar Arjan Aliaj pasi përfaqësuesi i kompanisë se Elona Çaushi nuk paraqitet. Gjyqtari pushon çështjen. Në 7 gusht gjyqtarja Mimoza Kajo-Brahimi, shqyrton të njëjtën kërkesë dhe vendos që kompania e Elona Çaushit të vijojë aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit ne kundërshtim të plotë me vullnetin e koncesionarit Tirana Airport.