Në përpjekje për të mposhtur pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe ka njoftuar se në maj do të mbërrijnë 25 mijë doza të vaksinës Pfizer.
Në një komunikim për media ai deklaroi se çdo të hënë gjatë këtij muaji, në vend do të mbërrijnë 5 deri në 7 mijë vaksina. Filipçe shtoi se në 28 prill, pritet që të mbërrijnë edhe 200,000 vaksina kineze.
Në një kohë që Maqedonia e Veriut po përpiqet të sigurojë vaksinat e nevojshme, Filipçe në anën tjetër u bëri apel qytetarëve të paraqiten për vaksinim, pasi deri tani janë paraqitur vetëm 150 mijë qytetarë. Ndërkohë të gjitha sallat sportive do të jenë gati për të realizuar procesin e vaksinimit që pritet të nisë nga 4 maji.
Maqedonia e Veriut ka nisur po ashtu edhe vaksinimin e deputetëve të Kuvendit, që janë vendosur në listën e grupeve kritike që kanë prioritet vaksinimin. Të 120 deputetë, do të vendosin vetë nëse do të marrin dozat e Sputnik V, parashikuar për to. Edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi shpreson se vaksinimi do të kthejë punën e deputetëve në normalitet dhe pa bllokime për shkak të mungesës së deputetëve të infektuar.