Krizën e inflacionit sektori bankar e ka kapërcyer, madje mund të konsiderohet kapitull i mbyllur, por vigjilenca e tyre nuk duhet të ulet pasi një tjetër sfidë e rrezikshme është prezente. Ndryshime klimatike thotë guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, paraqesin kërcënime të drejtpërdrejta për stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë ekonomike, prandaj duhen marrë masa.
“Stabiliteti financiar është i lidhur me shumë aspekte të ndryshme. Është i lidhur me dixhitalizimin por edhe me ndryshimet klimatike. Ne në Shqipëri kemi bërë politika dhe strategji për klimën, për përfshirjen financiare por edhe për edukimin. Ne kemi bërë një plan për ndryshimet klimatike dhe ndikimin e bankave”, u shpreh Sejko.
I pranishëm në konferencën e organizuar në Maqedoni të Veriut për ‘Bankat qendrore dhe bankingu qendror në një botë shumë komplekse”, Sejko e ka vënë theksin gjatë fjalës së tij tek rëndësia e stabilitetit financiar, si prioritet i çdo banke qendrore.
“Përparimi i shpejtë në teknologjinë financiare dhe bankingun digjital,tendencat e rënduara demografike, si dhe një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më i ndërlikuar, po vë në provë ekonomitë, shoqëritë dhe paradigmat mbizotëruese të politikave tona. Si bankierë qendrorë nuk mund të qëndrojmë mospërfillës ndaj këtyre sfidave. Ato paraqesin problem serioz për mandatet tona dhe kuadrin e politikave që ndjekim”- u shpreh Guvernatori Sejko.
Në konferencë është prekur edhe tema e kursit të këmbimit, si një fushë me avantazhe dhe disavantazhe.
“Qëllimi ynë kryesor është stabiliteti i çmimeve dhe politika monetare është shumë e rëndësishme, sidomos në vende që kanë regjim të lirë të kursit të këmbimit. Kursi i këmbimit implikon grupe interesi, sepse ka goxha ndikim tek qytetarët por edhe tek biznese të ndryshme. Nga njëra anë ndihmon se përçohet mirë politika monetare, por nga ana tjetër po dëmtohen eksportuesit, dhe fitojnë importuesit. Po ashtu po dëmtohen edhe remitancat, sepse vijnë në euro. Pra ka humbës dhe fitues”, tha Sejko.
Në konferencën e organizuar nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, mes guvernatorëve është diskutuar mbi modernizimin e sistemit të pagesave, për përshtatjen me risitë teknologjike si dhe për zhvillimet me rëndësi në ekonomi që ndikojnë edhe në sektorin bankar.