MAQEDONI E VERIUT- Në Maqedoninë e Veriut në orën 19:00 u mbyllën kutitë e votimit për zgjedhjet parlamentare dhe balotazhin për presidentin e vendit. VMRO-DPMNE-ja e spektrit të djathtë duket të ketë arritur një fitore të thellë, ashtu siç parashikohej. Kandidatja e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Gordana Silanovska-Davkova, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale, ndërsa Stevo Pendarovski, pranoi humbjen.
Më 8 maj, Maqedonia e Veriut mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në të cilat të drejtë vote kishin 1.8 milion qytetarë. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Davkova ka fituar mbi 65 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale, ndërkaq Pendarovski ka arritur të marrë rreth 30 për qind të votave.
“Qytetarët bënë zgjedhjen e duhur. Duhet të përpiqemi t'i japim fund vullkanizimit, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Do të bëj gjithçka për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare”, tha ajo në adresimin e parë pas zgjedhjeve.
Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, ndërkaq, tha se rezultatet janë të qarta, duke i uruar fitoren kundërkandidates së tij.
“Koncepti im për një Maqedoni multietnike, plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike, fatkeqësisht nuk mori mbështetjen e shumicës nga qytetarët. Megjithatë, jam thellësisht i bindur se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë një shtet i begatë dhe demokratik”, tha Pendarovski.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, sipas rezultateve paraprake, VMRO po udhëheq e me rreth 40 për qind të votave të fituara. Partia VMRO-DPMNE thotë se ka siguruar 58 nga 120 vendet që ka parlamenti. Në vend të dytë është radhitur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me rreth 17 për qind të votave, ndërsa në vend të tretë radhitet koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, i cili ka fituar mbi 14 për qind të votave.
Koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, radhitet në vendin e katërt me mbi 13 për qind të votave. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.15 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulëseve.
Rivalët politikë shqiptarë, të Frontit Evropian dhe VLEN-it janë përplasur gjatë fushatës për atë se kush do të duhej të bëhet pjesë e qeverisë së re. VLEN ka marrë ftesë publike nga VMRO-DPMNE-ja për t’iu bashkuar kabinetit të pritshëm qeveritar, ndërkohë që BDI-ja dhe Fronti Evropian pretendojnë që fituesi tek ‘blloku shqiptar’ duhet të përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv. Mirëpo, BDI-ja e shkeli parimin ‘fituesi me fituesin’ në zgjedhjet e 2017-s kur hyri në koalicionin qeveritar me LSDM-në, ndonëse VMRO-ja kishte fituar zgjedhjet.
Organet e rendit njoftuan për incidente të vogla nëpër disa komuna si ngjitje e pankartave dhe shpërndaje e fletëpalosjeve apo agjitim në Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe në disa vendbanime të tjera
Kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, teksa falenderoi qytetarët që morën pjesë në zgjedhje, theksoi se Fronti Evropian është forca e dytë politke në vend dhe se nga këto zgjedhje do të dalë me 19 mandate.
“Zgjedhjet kaluan me standarde të pranueshme, është një provim i shtetit i institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira demokrahtike, standard të cilin duhet akoma, sepse ne tanimë jemi në prag të anëtarësimit në BE. Do doja të falënderoj të gjithë votuesit e Frontit, të gjithë aktivistët dhe shefat e shtabeve të cilët kanë bërë punën më të madhe e të shkëlqyeshme që ne të dalim fitimtar e krenar.
Të gjithë këta aktivist na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike. Fronti Evropian është në një dallim me oponentin, ne oponent kemi pas VMRO-në sepse VMRO-ja ka ndihmu VLENIN, por dallimi është mbi 30 mijë vota. Kjo do të thotë që shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të frontit janë për anëtarësim të pa-kompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti.
Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pas shpalljes së rezultateve të para për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se koalicioni VLEN është fitues absolut tek shqiptarët.
“Koalicioni VLEN doli fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Nesër nisin negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve, tha Bilall Kasami nga VLEN.
“Në këtë atmosferë impozante shpallim fitore në kampin politik shqiptar. Koalicioni VLEN është është fitues absolut i këtyre zgjedhjeve dhe për këtë falënderojmë diasporën të cilët erdhën për të votuar ndryshimin, falë tyre…edhe një herë ata treguan se në vendlindjen e tyre ata janë faktor ndërkombëtar dhe në këtë rast ne i falënderojmë nga zemra për çdo votë të marrë. 100 mijë herë faleminderit diasporë”, tha Kasami.
Koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN” ka nisur festën në disa qytete në Maqedoninë e Veriut, pas publikimit të rezultateve të para.
Nga videot që i kanë publikuar simpatizantët, shihet se “VLEN” feston edhe në qytetin e Tetovës dhe Gostivarit.
Sipas të dhënave të fundit nga KSHZ, në qytetin e Gostivarit nga 85 për qind të votave të numëruara, Fronti Europian ka 9322 vota, ndërsa Koalicioni VLEN ka marrë 8869 vota.
Kandidati për president, Stevo Pendarovski ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe uroi kandidaten nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Ai gjithashtu ironizoi BDI-në, e cila ka bërë thirrje për bojkot.
“E dimë se ka disa raporte për disa parregullsi, por këtë ua lemë organeve kompetente që të mos mbetet asnjë njollë ndaj procesit zgjedhor. I uroj fituesve, u dëshiroj sukses në punë gjatë katër viteve, gjegjësisht 5 viteve të ardhshme. Koncepti imë për një Maqedoni multietnike të integruar në strukturat euroatlantike nuk gjeti mbështetje tek votuesit, megjithatë unë mbetem në qëndrimin se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë prosperuese. Megjithatë ndërgjegjja ime është e pastër. Por nuk e di nëse e kanë ndërgjegjen e pastër edhe ata të cilët thirrën në bojkot“, deklaroi Pendarovski.
Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ka marrë mbështetjen më të madhe nga qytetarët, deklaroi se fitorja, në radhë të parë nënkupton edhe përgjegjësi të madhe.
Ajo komentoi dhe bojkotin duke e cilësuar atë si presion politik e partiak.
“Të bëni thirrje për bojkot, nënkupton presion politik e partiak. Por pavarësisht kësaj qytetarët dolën në votime dhe e dhanë votën e tyre për atë që deshën. Mua nuk më ndodhi që t’i bind qytetarët që të votojnë për mua, se jam më e mira, më e mençura, por e lash që qytetarët vet të vendosin”, tha Siljanovska-Davkova.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka publikuar rezultatet e para për zgjedhjet kuvendare.
Nga më shumë se 80 për qind të votave të numëruara, rezultatet janë si më poshtë:
LSDM dhe koalicioni: 114.218 vota ose 14 për qind
VMRO-DPMNE dhe koalicioni: 333.501 vota ose 42 përqind
Fronti Europian: 113.863 vota ose 14 për qind
Koalicioni VLEN: 90.228 vota ose 11 për qind.
Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska
KSHZ në Maqedoninë e Veriut ka publikuar rezultatet e para për zgjedhjet presidenciale.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, nga 62 për qind e votave të numëruara Gordana Siljanovska e partisë VMRO-DPMNE ka marrë 305.640 ose 64% , ndërsa Stevo Pendarovski i LSDM ka marrë 141.984 vota ose 29%.
Maqedonia e Veriut - Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e rezultateve të para për zgjedhjet parlamentare.
KSHZ tashmë ka numëruar më shumë se gjysmën e votave, ndërsa rezultatet janë si më poshtë:
LSDM dhe koalicioni: 68.821 vota ose 13 për qind
OBRM-PDUKM: 204.015 vota ose 39 për qind
Fronti Europian: 87.283 vota ose 16 për qind
Koalicioni VLEN: 71.980 vota ose 14 për qind.
Ethet e numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut tashmë kanë filluar.
Përfaqëuesi i Frontit Europian, Arbër Ademi dha një deklaratë për shtyp, duke marrë parasysh edhe rezultatet paraprake, se forca që përfaqëson është mbi 30 mijë vota në epërsi ndaj opozitës, ku është pjesë edhe partia tjetër shqiptare Vlen.
“Deri më tani sipas nga mbi 50 përqind të votave Fronti Europian mbi 30 mijë vota më shumë se opozita. Në epërsi në Dibër 2 me 1, Strugë më tepër se 2 me 1, Kërçovë 5 me 1, Vrapçisht më tepër se 2 me 1, në epërsi në Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe Likovë. Më vonë do të dalim më të dhëna më të hollësishme. Nëse vazhdojmë me këtë trend Fronti Europian do të ketë mbi 20 deputetë”, tha Ademi.
Te ishte Saliu nuk do ti njihte zgjedhjet se da here qe humb te njejten avaz ka.
Përgjigjupaska me shume popullsi maqedonia se sa shqiperia.
Përgjigju