Maqedoni e Veriut, makina bie në lumin Lepenc, humbin jetën tre anëtarë të familjes së Pacollit! Kurti: Prekëse (VIDEO)

18 Qershor 2023, 09:55| Përditesimi: 18 Qershor 2023, 22:55

  • Share

Pas disa orësh kërkime, njësitë speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim kanë nxjerrë nga lumi Lepenc makinën me tre trupat e pajetë të shqiptarëve të Kosovës, e cila të shtunën kishte rënë në lumë pas një aksidenti me një automjet tjetër. 3 viktimat ishin anëtarë të familjes Pacolli. Kurti dhe Osmani ndanë mesazhet e tyre të ngushëllimit. 

Aksidenti ndodhi afër Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve, në Bllacë.

Në makinën me targa të Kosovës ishin katër persona dhe njëri prej tyre ka arritur të dalë prej saj, ndërsa të tjerët së bashku me mjetin ranë në lumin Lepenc.

Personi është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori” në Shkup dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, ka bërë të ditur policia maqedonase.

Autoritetet maqedonase më herët gjatë 18 qershorit njoftuan se kanë ndaluar shoferin e automjetit me targa të Shkupit, që u aksidentua me makinën me targa të Kosovës.

“Sektori i punëve të brendshme në Shkup po vazhdon hetimet lidhur me incidentin në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë dhe me urdhër të prokurorit publik, drejtues i automjetit Volksëagen Turan, me inicialet B.B. është ndaluar për hetime të mëtejme”, thuhet njoftimin e MPB-së.

Në momentin e aksidentit, sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.

Në operacionin e nxjerrjes së makinës kanë marrë pjesë edhe ekipe të kërkim-shpëtimit nga Kosova.

Në vendin e ngjarjes dolën edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Pacolli deklaroi se këtë tragjedi kanë vdekur Naim, Merita dhe Ermal Pacolli ndërsa shprehu ngushillimet për ta. 

“Zoti i mëshiroftë  të ndjerët e Shkëlqimit  i uroi shërim të shpejtë”, shkroi ai

Ora 22:57
Osmani shpreh ngushëllime për humbjen e jetës së tre anëtarëve të familjeve Pacolli: I përhershëm qoftë kujtimi për ta

1686727771_vjosaosmani.JPG

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas nxjerrjes nga lumi Lepenc të tre trupave të pajetë, ka ngushëlluar familjet Pacolli e Visoka, të cilat pësuan nga aksidenti tragjik.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të tre anëtarëve të familjeve tuaja. Në këto çaste të rënda për familjet tuaja, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë për përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për ta!”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.

Presidentja Osmani, gjithashtu i ka uruar shërim të shpejtë, Shkëlqimit, të vetmit të mbijetuar nga ky aksident dhe ka falënderuar ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, si dhe ekipin e kërkim-shpëtimit nga Maqedonia e Veriut për angazhimin e tyre.

Ora 21:13
Vdekja e 3 shqiptarëve të Kosovës në lumin Lepenc, Kurti: Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh

1686813793_albinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar pasi është nxjerrë vetura që kishte rënë në Lepenc, e bashkë me të edhe tre trupat e pajetë.

“Sapo u njoftova nga autoritetet tona se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve tanë.

Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllaut të tij. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pacolli dhe Visoka të cilët humbën familjarët e tyre. Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh.

Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”, ka shkruar Kurti.

Ora 20:57
Makina e tyre ra në lumin Lepenc, nxirren pas disa orësh 3 anëtarët e familjes së Pacollit

1687114691_ew.JPG

Njësitë speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim kanë nxjerrë nga lumi Lepenc makinën me tre trupat e pajetë të shtetasve të Kosovës, e cila të shtunën kishte rënë në lumë pas një aksidenti me një automjet tjetër.

Ora 12:18
Vazhdojnë kërkimet për anëtarë e familjes së Pacollit, të zhdukur në lumin Lepenc

Policë maqedonase

Njësit speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim po vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc afër Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve në Bllacë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, vetura me të cilën po udhëtonin katër persona, shtetas të Kosovës, është aksidenuar me një veturë tjetër me targa të Shkupit, dhe më pas vetura ka rënë në lumë.

Njëri nga katër personat që ndodhej në veturë ka arritur të dalë prej saj, ndërsa të tjerët së bashku me mjetin janë zhytur në Lepenc.

“Aksidenti ka ndodhur në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë, kur në një aksident trafiku janë përfshirë një veturë Volkswagen me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, e drejtuar nga H.P. nga Kosova, e cila pas aksidentit ra në lumin Lepenc. Në automjetin BMW, përveç shoferit, ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori’, ndërsa për tre të tjerët policia vazhdon kërkimin”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Në momentin e aksidentit sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ata i ka shoqëruar zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase”, thuhet në njoftim.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit, sipas MPJD-së, po marrin pjesë edhe njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës./REL

M.T//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ben: 18/06/2023 18:12

    Kjo rruge eshte katastrofe,lumi me rrugen shkojne paralel,jane shume afer,nga rruga nje devijim dhe je ne lume.Asnje mbrojtje,skandal,direct bie ne lume.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?