Kosova & Rajoni

Maqedonia e Veriut, certifikatë vaksinimi për bare e restorante, mjeku për Report Tv: Në fuqi nga 16 gushti! Qytetarët e cilësojnë vendim diskriminues

9 Gusht 2021, 15:09| Përditesimi: 9 Gusht 2021, 15:17

  • Share

Nga data 16 gusht qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të lejohen të futen pa certifikatë vaksinimi në bare, restorante, hotele e në të tjera ambiente të mbyllura. Në lidhje me këtë vendim ka folur për Report Tv, mjeku Egzon Ademi nga Maqedonia e Veriut. Mjeku Ademi u ndal në detaje duke shpjeguar se kjo masë u mor pasi ka një rritje të rasteve të reja që rezultojnë pozitivë me COVID-19. Ai tha se certifikata e vaksinimit do të aplikohet edhe për personat që kanë marrë  vetëm një dozë vaksine kundër virusit.

"Ditët e fundit janë marrë dy vendime. Fillimisht vetëm për Tetovën u vendos që subjektet e hotelerisë mos të punojnë në ambientet e mbyllura. Më pas u vendos edhe kjo masë që nga 16 gushti, në çdo bar restorant hotel të kërkohet certifikatë vaksinimi, me së paku një dozë vaksinë dhe kjo do të vlerë për personat nga 18 vjeç e sipër", u shpreh Ademi për Report Tv.

Ndërkaq, i pyetur sesi është pritur ky vendim nga qytetarët, mjeku tha se certifikata është cilësuar si një vendim diskriminues ndaj atyre që nuk janë vaksinuar. Madje, Ademi tha se qytetarët kanë shprehur pakënaqësi pasi do të përdoret edhe nga personat që kanë marrë vetëm një doze vaksine, duke thënë se vetëm një dozë nuk të mbron nga infeksioni.

"Nga gjysma e dytë e qershorit vu re një relaksim masash edhe nga njerëzit që filluan mos t'i respektonin më. Shumë rrallë dukeshin njerëz me maska në bare, restorante e qendra tregtare, ishte një neglizhencë e madhe. Me vendosjen e masave janë të dyzuar në mendime. Komuniteti shkencor, disa epidemiologë në Maqedoni thonë se janë kundër se paraqet një diskriminim kjo masë që kërkohet certifikatë vetëm për të vaksinuarit. Gjithashtu edhe sepse kjo është vetëm me një dozë dhe një dozë nuk garanton mbrojtje ndaj infeksionit", tha Ademi.

Certifikata e vaksinimit ka krijuar pakënaqësi tek qytetarët madje në disa vende ata janë ngritur në protesta. Franca, Italia, Danimarka, Greqia dhe Belgjika janë vendet që deri më tani kanë aprovuar futjen në bare e restorante nëpërmjet certifikatës së vaksinimit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?