Foto ilustruese

Maqedonia e Veriut regjistron rastin e parë me 'florona', i prekur një 26-vjeçar

5 Janar 2022, 17:45| Përditesimi: 5 Janar 2022, 18:08

  • Share

Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rasti i parë i një qytetari i infektuar 'florona', ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Florona është një term i krijuar për të përshkruar gjendjen e të infektuarit me COVID-19 dhe njëkohësisht me grip sezonal.

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut ka bërë të ditur se rasti është zbuluar në Kërçovë nga një klinikë private tek një person i moshës 26 vjeç, i cili më 31 dhjetor kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Bazuar në anketën epidemiologjike, personi në fjalë ishte i vaksinuar me dy doza të vaksinave. Pas detektimit të infektimit pacienti ndodhet në shtëpinë e tij për trajtim mjekësor në gjendje stabile shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni të Veriut, Florona manifestohet me simptoma të koronavirusit dhe gripit sezonal. Detaje tjera nuk janë dhënë.

Rasti i parë i një personi të infektuar me COVID-19 si dhe me grip sezonal në të njëjtën kohë u raportua nga Ministria e Shëndetësisë së Izraelit duke ngritur pikëpyetje të shumta se si dy viruset mund të ndikojnë tek personat e prekur nga këto dy viruse në të njëjtën kohë.

Të mërkurën më 5 janar, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1,375 raste të reja me koronavirus ndërsa janë detektuar edhe nëntë raste të reja me variantin Omicron duke çuar në dhjetë numrin e të infektuarave me këtë variant.

Rritja e rasteve sipas Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni të Veriut, ka të bëjë me manifestimet e festave të fundvitit dhe mosrespektimin e masave mbrojtëse ndaj COVID-19.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë shtet janë regjistrua edhe 4 të vdekur, një në Shkup, një në Kavadar, një në Tetovë dhe një rast i vdekjes në Dellçevë. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 8,000 ndërsa i rasteve aktive me koronavirus në 6,818 persona./REL/

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?