Kosova & Rajoni

Maqedonia e Veriut rekord të infektuarish me COVID, zv.ministri i Shëndetësisë për Report Tv: Qytetarët nuk po vaksinohen, spitalet po mbushen me ritme të shpejta

23 Gusht 2021, 18:22| Përditesimi: 23 Gusht 2021, 18:47

  • Share

Maqedonia e Veriut prej ditësh po përballet me një rekord të infektuarish me COVID-19, por edhe me një rritje të ndjeshme të numrit të viktimave. Në një lidhje për Report Tv, zv.ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Ilir Hasani ka folur për situatën e pandemisë në vend. Sipas tij, kjo rritje ka ardhur për shkak se qytetarët nuk kanë zbatuar masat anti-COVID, të vendosura në kuadër të kufizimit të koronavirusit. Teksa thekson se në këtë situatë ka ndikuar edhe ardhja e emigrantëve dhe takimi i tyre me të afërmit pas një kohe shumë të gjatë.

Por një problem i madh, sipas Hasanit mbetet fakti që qytetarët nuk po vaksinohen dhe kjo i jep mundësi virusit që të transmetohet me lehtë tek të pavaksinuarit.

"Në ndër arsyet kryesore që kemi theksuar për rritjen drastike të numrit dhe para sezonit mund të themi, është mosrespektimi i masave. E gjithë popullata e ndjeu që numrat ranë shumë shpejt dhe u çliruam nga tmerri dhe frika dhe dalëngadalë filluam të mos i respektojmë masat. Mendoj se arsyeja kryesore është mosrespektimi i masave. Disa epidemiologë fajësojnë organizmin e dasmave dhe grumbullimet në klube e natës. Unë mendoj se nuk janë vetëm ata, por ardhja  e emigrantëve për pushime dhe komunikimi me të gjithë njerëzit që nuk i kanë parë për një kohë të gjatë dhe mosrespektimi i masave gjatë këtyre kontakteve dhe grumbullimet masave kanë ndikuar që kjo valë që ne e kemi parashikuar që do të nisë, na u afrua pak më herët se e prisnim në shtator ose tetor. Njëkohësisht një gjë që duhet të theksohet është numri i vogël i të vaksinuarve, së pari kishim ngecjen në furnizimin me vaksina dhe tani kemi ngecje në vaksinimin e popullatës që rezulton edhe me terren të pastër për virusin që të shpërndahet më lehtë", tha zv.ministri Hasani.

Duke u ndalur në shifra konkrete, zv.ministri tha se në të gjitha spitalet e vendit po marrin trajtim të specializuar 890 pacientë, ku 100 prej tyre janë vaksinuar ndaj COVID-19. Në lidhej me kapacitetet spitalore Hasani tregoi se edhe 200 shtretër janë të lirë, ndërsa situata paraqitet më kritike spitalin e Tetovës dhe Gostivarit. Ai shtoi se spitalet po mbushen me ritme të shpejta, ndërsa sipas tij vendi tashmë është futur në valën e katërt të pandemisë.

"Spitalet janë të mbushura dhe me një ritëm shumë të shpejtë po mbushen edhe pse kemi kapacitete, por prapë se prapë shohim se kapacitete tona po mbushen shumë shpejt. Kemi 890 pacientë të hospitalizuar në të gjitha spitalet e Republikës së Maqedonisë. Është një numër mjaft i madh i pacientëve të hospitalizuar në spitalin e Tetovës dhe Gostivarit. Rreth 100 veta janë të vaksinuar, një shifër mjaft e ulët. Kemi kapacitete, rreth 200 shtretër të lirë, të cilët janë të gatshëm çdo moment që të furnizohen. Kjo është më se e dukshme se vala e katërt ka filluar, por ka filluar me një ritëm dhe agresivitet shumë të madh", u shpreh Hasani për Report TV.

Në lidhje me masat e marra nga autoritetet e vendit se qytetarët duhet të futen në bare e restorante me certifikatën e vaksinimit, zv.ministri tha se efekti indirekt i këtyre masave ka qenë shumë pozitiv sepse ka trefishuar vaksinimet.

"Vetë fakti që kemi vënë ndonjë kufizim që për mua është shumë i lehtë i lëvizjes së qytetarëve, ka rezultat me rritje trefish i vaksinimit. Në një farë mënyrë është edhe një stimulim direkt i qytetarëve që për të shkuar në bare e restorante duhet të tregojnë se janë ta vaksinuar së paku me një dozë të vaksinës. Efekti indirekt i kësaj mase është shumë pozitiv", vijoi Hasani.

I pyetur se nëse rritja e infektimeve në Maqedoninë e Veriut do të ndikojë edhe në vendin tonë për shkak se ka pasur një numër të madh të qytetarëve maqedonas që kanë ardhur për pushime, Hasani tha se kjo nuk do të ndikojë sepse ne i kemi pasur kufijtë e hapur prej kohësh. Duke e theksuar edhe njëherë, sipas tij problemi më i madh është tek mosrespektimi i masave nga qytetarët që vizitojnë si Maqedoninë ashtu edhe Shqipërinë.

"Mendoj se jo. Ne jemi gjeografikisht të ndarë por nuk kemi ndonjë ndarje fizike meqë kufijtë kanë funksionuar. Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i zi i jemi në një qarkullim permanent. Ndoshta numrat te ne janë pak më të mëdhenj por nuk ka mundësi që numrat të ndikojnë shumë nëse kufizohet lëvizje mes dy shteteve dhe nuk paraqet pengesa kalimi i kufirit por problemi kryesor është mosrespektimi i masave si të qytetasve maqedonas në Shqipëri dhe anasjelltas që rezulton me shpërndarjen e infeksionit dhe jo vetëm kalimi i kufirit nga njëra anë në anën tjetër", tha ai.

Maqedonia e veriut në 24 orët e fundit ka regjistruar 882 raste të reja me COVID-19, ndërsa 14 pacientë nuk kanë mundur ta fitojnë betejën me koronavirusin. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se në 24 orët e fundit 140 persona janë shëruar nga koronavirusi.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?