Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, njoftoi se ka marrë vendim për shpalljen e Gjendjes së re të Jashtëzakonshme në të gjithë territorin e cila do të zgjasë tetë ditë duke filluar nga sot.
Vendimi i fundit vjen në një kohë kur vendi po kalon një situatë dramatike pandemie, teksa çdo ditë raportohen vdekje dhe shifra në rritje të rasteve të identifikuar pozitiv nga koronavirusi.
Vetëm ditën e djeshme në Maqedoni autoritetet njoftuan për 5 të vdekur nga COVID-19 dhe 104 infeksione të reja, shifra këto pak më të ulëta krahasuar me pesë ditët e fundit, por ato mbeten ende në nivele të larta krahasuar me periudhën e muajve mars dhe prill.
Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i viktimave në vend ka arritur në 193, shumica prej tyre nga Shkupi, Kumanova dhe Tetova.
Gjithashtu në njoftim, Presidenti Pendarovski thotë se ”partitë politike kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik dhe thekson se periudha e gjendjes së jashtëzakonshme duhet të shërbejë edhe për përgatitjen pa pengesa të zgjedhjeve dhe veçanërisht zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në mes të një pandemie të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.