Gjykata e Shkupit në Maqedoni, ka vendosur ekstradimin në Zvicër të Saimir Taullaut nga Lushnja, i cili rezulton i dënuar me 4 vjet burgim për akuzën e tregtimit të një sasie heroinë.
Vendimi është marrë pak ditë më parë dhe ekstradimi në burgjet e Zvicrës i Taullaut është miratuar dhe nga organet shtetërore.
Taullau, rezulton se është dënuar në Zvicër në vitin 2013 me 4 vjet burgim për akuzën e tregtimit të një sasie heroine. Mësohet se Taullau është arrestuar gjatë aksionit të policisë Zvicerane dhe më pas gjykata që ka marrë në shqyrtim çështjen e tij, e ka lënë në masën e “arrestit në shtëpi”.
Por Taullau, nuk ka respektuar vendimin e gjykatës, duke ikur nga banesa ku ishte strehuar dhe ka ardhur në Shqipëri. Në vitin 2013, gjykata Zvicerane e ka dënuar në mungesë me 4 vite burg Taullaun.
Në muajin shtator 2020, Saimir Taullau është arrestuar në Maqedoni për tregtim të lëndëve narkotike.
Ai ka pasur edhe një urdhër ndalimi nga autoritetet zviceriane. Trafikantit nga Lushnja, iu dërgua edhe një kërkesë nga OFL për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, kërkesë e cila është vlerësuar nga SPAK, duke çuar kërkesën në gjykatë për konfiskimin e disa pasurive.
Familja Taullau në Lushnjë, njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares. Taullau është një person i dënuar disa herë në Shqipëri dhe që i ka shpëtuar dy sulmeve me armë.