ITALI - Cagliari është në bisedime me Romën për të nënshkruar me Marash Kumbullën. Klubi nga Sardegna e dëshironte mbrojtësin e Kombëtares në afatet e fundit të transferimeve, por nuk kishin bindur dot Romën. Dy javët në vijim mund të jenë të duhurat.
Vlera e mundshme e lojtarit mbetet për t’u parë. Roma kërkon ta shesë lojtarin pasi atij i ka mbetur vetëm një vit në kontratë. Kryeqytetasit paguan afërsisht 26 milionë euro në verën e vitit 2021 për Kumbullën. Palët mund të bien dakord për 5 milionë euro, teksa Kumbulla do gjente një ekip ku të aktivizohej.
Trajneri i ri i Romës, Gasperini, tashmë i ka dhënë dritën jeshile mundësisë së një transferimi. Në katër sezone, Kumbulla ka luajtur 69 ndeshje për Romën, plus dy huazime, një te Sassuolo dhe një tjetër te Espanyol.
Klubi spanjoll po sheh sërish një mundësi që ta huazojë Kumbullën edhe për sezonin e ri, por me Cagliarin në lojë, interesi i Romës është për ta shitur në mënyrë përfundimtare.
35 paraqitje dhe tre gola, këto janë bilancet e Kumbullës në një sezon me Espanyol. Me dy klube që janë pas tij, do jetë 25-vjeçari që duhet të marrë një vendim për të ardhmen.
Komente
