SPANJË - Marash Kumbulla është futbollisti më i ri i Mallorcas në La Liga. Mbrojtësi i Kombëtares u prezantua zyrtarisht këtë të hënë, më 18 gusht, si pjesë e klubit spanjoll, ku do mbajë fanellën me numrin 4 mbi shpinë.
25-vjeçari bashkohet me Mallorcan në formë huazimi nga Roma për një sezon, me opsion blerjeje përfundimtare në vlerën e 8 milionë eurove.
Kumbulla rikthehet kështu në La Liga, pas eksperiencës së suksesshme që pati sezonin e kaluar te Espanyol. Gjatë karrierës së tij, ai ka veshur fanellat e Hellas Veronas, Romës, Sassuolos dhe Espanyolit, ndërsa tashmë synon të lërë gjurmë edhe te Mallorca.
“Marash Kumbulla është një lojtar i ri për RCD Mallorcën. Mbrojtësi 25-vjeçar mbërrin në huazim deri në fund të sezonit nga AS Roma. Kumbulla është shtetas shqiptar dhe luan për kombëtaren e Shqipërisë (24 ndeshje).
Sezonin e kaluar, nënshkrimi i fundit i RCD Mallorcës luajti 36 ndeshje në huazim te RCD Espanyol, duke përfshirë ndeshje të La Ligës dhe Kupës së Mbretit. Më parë, Kumbulla luajti edhe për klube italiane si Hellas Verona dhe Sassuolo”, shkruhet në njoftimin e klubit.
“Jam shumë i lumtur që po bashkohem me Mallorca“, tha qendërmbrojtësi shqiptar, që shtoi: “E kam shijuar kohën time në Spanjë në nivel futbollistik, por jo vetëm kaq. Më pëlqen shumë mentaliteti sportiv dhe kulturor i vendit.
Jam përgatitur mirë dhe jam gati të kem një sezon të shkëlqyer dhe të ndihmoj Mallorca të synojë lart. Ekipi dhe rajoni kanë potencial të madh. Ky është një klub i përparuar dhe ka gjithçka që duhet për të pasur sukses. Jam entuziast për këtë projekt ambicioz“, tha Kumbulla.
Më tej, Kumbulla deklaroi: “Trajneri më telefonoi dhe më beson. Ai me të vërtetë më donte këtu, ashtu si klubi dhe drejtuesit e tij. Duhet të jemi ambiciozë, por mbi të gjitha, të punojmë me vendosmëri të madhe çdo ditë", tregoi Kumbulla.
Marashi bashkohet kështu ne një ekip me Vedat Muriqin, sulmuesin e Kosovës.
Komente
