Një hungarez ishte pjesë e Maratonës së Tiranës, duke iu bashkuar rreth 5 mijë pjesëmarrësve në këtë garë. Ai mori pjesë në disiplinën 10 km dhe duke marrë fillimisht medaljen e vendit të parë për meshkuj. Por, pas verifikimeve, burime për Report Tv bëjnë me dije se hungarezi është skualifikuar nga gara pasi nuk ka respektuar itinerarin e vendosur për garën 10 km. Ai nuk ka ndjekur rrugën e përcaktuar dhe këtë e tregoi GPS-i.
Duke thyer kështu rregullat e garës, hungarezi u skualifikua dhe medalja e vendit të parë i kaloi shqiptarit David Nikolli.
Por, para se të zbulohej ‘hilja’ e hungarezit, ai dha një intervistë për Report Tv, ku edhe pse itinerarit i kishte rënë shkurt, thotë se gara ishte e vështirë.
Intervista për Report Tv para se të skualifikohej nga gara
Gazetari Ernest Koçi: Si fillim, ju uroj që jeni numri një në këtë event. Çfarë mund të thoni për organizimin dhe qëllimin tuaj?
Organizimi ishte i shkëlqyer, ishte një garë e mrekullueshme, rrugët e Tiranës ishin shumë të bukura. Më pëlqen shumë Shqipëria deri tani.
Gazetari Ernest Koçi: Nga vini?
Nga Hungaria.
Gazetari Ernest Koçi: Hera e parë në Shqipëri?
Po, vij nga Hungaria dhe është hera e parë në Shqipëri.
Gazetari Ernest Koçi: Çfarë mund të thoni për garën, ishte e lehtë apo e vështirë?
Rruga ishte pak e vështirë, kishte ngjitje dhe zbritje, nuk ishte shumë e thjeshtë. Ishte sfiduese, por unë arrita performancën time më të mirë.
Lajmi kryesor:
Lista e plotë e fituesve/ Maratona e Tiranës, rreth 4 mijë pjesëmarrës! Gega rekord kombëtar: Shqiptarët më dhanë forcë! Dominojnë kenianët (VIDEO)
SI.E./ReportTv.al