TIRANË- Marco Alberti është caktuar si ambasadori i ri i Italisë në Shqipëri i cili pason diplomatin Fabrizio Bucci, të cilit i mbaroi mandati 5-vjeçar. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e Italisë përmes një postimi në rrjetin social ‘X’.
Ndërsa uroi ambasadorin e ri për detyrën, Ministria konfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Transformimi i një bashkëpunimi strategjik në projekte dhe i projekteve në rezultate. Pasion dhe vendosmëri për të ndërtuar së bashku një të ardhme paqeje, zhvillimi të qëndrueshëm dhe rritjeje gjithëpërfshirëse midis dy popujve miq, duke mbështetur me bindje anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në postim.
Ndërkohë, Bucci është emëruar ambasador i Italisë në Gjermani.
Kush është Marco Alberti?
Marco Alberti është diplomuar me rezultate të larta për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Bolonjës, në vitin 1997. Në vitin 2000, Alberti është bërë pjesë e Shërbimit të Jashtëm Kombëtar të Italisë.
Si diplomat karriere ka shërbyer në Buenos Aires dhe Nju Jork, i fokusuar te diplomacia tregtare. Pas një eksperience profesionale në Departamentin e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në vitin 2012 Marco Alberti ka punuar për Enel spa, kompania më e madhe në botë për sa i përket prodhimit të energjisë elektrike të gjelbër.
Nga 1 shtatori 2021, ka shërbyer si Ambasador i Italisë në Kazakistan. Flet anglisht dhe spanjisht. Marco Alberti është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Komente
