Drejtori i ri i Teatrit Eksperimental "Kujtim Spahivogli" është Altin Basha. Ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri prezantimin e tij edhe në praninë e ish drejtorit Kiço Londo, i cili e mbajti këtë detyrë për 6 vite radhazi.
"Merr një detyrë në një moment të vështirë dhe delikat për teatrin. Është momenti të ecim në një mendësi të re në këtë periudhe pandemie. Shfaqje me pak publik dhe me pak aktorë, "One man shoë", thotë Margariti.
Londo shprehu keqardhjen e tij nga lirimi nga detyra, duke e theksuar se ndihet sikur e kanë larguar nga shtëpia e tij
"Nuk dua që ta fsheh që ndihem i trishtuar që më duhet për shkak te respektimit te institucioneve nga kjo shërbesë dhe t’i lë vendin drejtorit pasardhës. Ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime. Unë nuk jam drejtor, s’kam qenë ndonjëherë drejtor, sepse drejtorët nuk janë si unë", thotë Kiço Londo teksa falënderon të gjithë bashkëpunëtorët që ka pas gjatë këtij rrugëtimi, duke e cilësuar TKES, një vijë ndarëse dhe transformim të teatrit shqiptar.
Ndërsa, Basha ndali tek disa nga prioritetet e platformës me të cilën garoi përballë ish drejtorit Kiço Londo në një garë zyrtare.
"Pas thirrjes së hapur për të konkurruar, pas konkursit. Mendoj se kam një farë eksperience në teatrin e pavarur, edhe mendoj se është një gjenerator i ideve të reja. Në vazhdimësi jam përpjek që të gjej mekanizma se si mund të reformohet fryma e kërkimit. Nëse ka një mekanizëm të stabilizuar qe mund ta bëjë këtë formë, qe mund të ndiqet nga alternativa të pavarura, ky është TKES. E gjithë eksperienca që kam unë me tentativat e mia, qëkur kam nis punën, me student dhe artistë të rinj, mendoj që ta shtrijë dhe në TKES. Është puna ajo që flet më gjatë, kjo do të ndodh ne grup, se thelbi i një teatri është në grup”, thotë Basha.
Regjisori Altin Basha prej 17 vitesh ka drejtuar spektaklin e “Portokallisë”. Gjatë viteve të fundit është një ndër regjisorët më të angazhuar në teatër. Puna e tij, është vlerësuar në disa festivale teatrore, me çmime, si “Regjia apo Shfaqja më e mirë”. Ndërsa, disa shfaqjet më të fundit që ka ngjitur në skenë janë: “Made in albania”, “Gomari i babatasit”, “Rojet e Taxhit” dhe komedinë “Karnavalet e Korçës” etj.