Maria Mano e FRPD-së akuzon kryebashkiakun Filo për shpërdorim të 3.6 mld lekë: Erdhi koha të largoheni
Në një deklaratë për mediat kryetarja e Lëvizjes Rinore të Partisë Demokratike Maria Mano, akuzoi kryebashkiakun e Korçës Sotiraq Filo se për vitet 2020 dhe 2021, ka djegur kot dhe nuk i ka investuar, plot 3.6 miliard lekë.
“Kryetari i saj dhe turma e tellallëve të tyre, na propagandojnë çdo ditë sukseset e këtij institucioni. Ajo që shfaqet në fotografitë që poston Filo, me punime të vrullshme dhe përkushtim për t’u admiruar, na del që paska disa të vërteta të tjera brenda.Sipas dokumenteve, Bashkia e Korçës, vetëm për vitet ’20 dhe ’21, ka djegur kot dhe nuk i ka investuar, plot 3.6 MILIARD lek”, u shpreh Mano.
Ajo tha gjithashtu se investimet e parealizuara, mund të ishin përkthyer në rrugë, lulishte, shkolla, kanale vaditës, e plot investime të tjera në infrastrukturë por sipas saj kryebashkiaku dhe vartësit e tij, nuk bëjnë tendera fare nëse nuk i bëjnë me shkelje apo nëse nuk iu interesojnë personalisht atyre.
E teksa vuri theksin te problematikat që faktorizojnë ikjen e qytetarëve dhe humbje në investim njerëzor, ajo i bëri thirrje kryebashkiakut Filo të largohet nga ky qytet.
“ Z.Filo, e keni treguar me kohë që jeni i paaftë ose që ju mungon dëshira për të punuar. Nga ana tjetër, dëshira nuk iu mungon aspak kur vjen puna për të përfituar Ju vetë, kumbari juaj apo dhe grupi i shokëve. Këtij qyteti i keni rënë boll në qafë. Erdhi koha të largoheni!“, përmbylli kryetarja e FRPD Korcë.
Lajmi kryesor:
14 maji/ Kandidatët në terren! Spahia: Prioritet bujqësia dhe infrastruktura! Beci: Fokus arti, kultura dhe turizmi
M.T/ReportTv.al