‘Marija që përloti Papën’, ky është botimi më i ri i autorit Fran Kulli kushtuar jetës dhe veprës së murgeshës Marije Kaleta, murgesha që i mbijetoi diktaturës komuniste. Promovimi i librit u bë në Selinë e Ipeshkvisë së Sapës, nën përkujdesjen e të cilës u botua dhe libri.
***
Shkodër - E konsideruar si martire e gjallë e fesë, motër Maria Kaleta ishte ndër të paktat murgesha që i mbijetoi komunizmit, e mbajti fenë në fshehtësi, duke mbajtur mbi shpatulla frikën e sistemit. Liria e besimit i dha jetë murgeshës katolike, teksa Papa e dekoroi si martire të gjallë të fesë.
Tashmë kur kjo dëshmi e gjallë e mbijetesës së fesë nuk jeton më, autori Frano Kulli nën përkujdesjen e Ipeshkvit të Sapës Monsionior Simon Kulli botuan librin “Marija që përloti Papën”.
Në ceremoninë e promovimit të këtij botimi që vjen si përshkrim i jetës dhe kontributit të murgeshës katolike, Marije Kaleta përjetësohet jeta e saj e heshtur, kontributi për të mbajtur gjallë shpresën dhe fenë, teksa u sollën plot kujtime nga jeta e saj.
“Motër Marie Kaleta ishte personi që jo vetëm mua, por shumë breznive ja ka dhuruar fenë kur feja nuk ekzistonte”, shprehet Monsionior Simon Kulli.
“Nga respekti që populli i Pistullit ka treguar për hallën Marije, kongreta në vitin 1991 kur e tregoi motër Maria në Romë, historinë se ku kanë jetuar dhe si kanë jetuar, u vendos hapja e bashkësisë së motrave stigmantine”, thotë murgesha stigmantine Dukate Radoje.
Për autorin Frano Kulli, botimi është një dokument i denjë që sjell jetën e motër Maria Kaleta.
“Libri ja ka arritur synimit dhe unë jam i lumtur që sot ai është në duart e lexuesit”.
Motër Maria Kaleta për kishën dhe mbarë popullin shqiptar konsiderohet si apostulat i thjeshtësisë, në thelbin e së cilës qëndroi mirësia teksa jeta e saj është pjesë e kishës që triumfoi edhe përballë terrorit komunist. Ajo sot renditet me të drejtë si pjesë e pasurisë intelektuale kombëtare.
Komente
