Mbrojtësi i Kombëtares dhe i Al Ittihad në Arabinë Saudite, Mario Mitaj ka dhënë një intervistë për kanalet e klubit. Veç të tjerash ai veçon Marcelon dhe kërkon që të ndjekë hapat e tij në futboll. Mëngjarashi flet edhe për formacionin më të mirë sipas tij, ndërsa fjalë të mira ka edhe për Karim Benzema, kolegun te Al Ittihad.
"Si është vlerësimi në FIFA dhe cili është sekreti i shkëlqimit tek Al Itihadi?
Jo, nuk jam aq i mirë (qesh). Për momentin jam te kategoria e argjendtë, por mësoj çdo ditë nga shokët. Ata më ndihmojnë të rritem. Për të qenë i sinqertë, kur futem në fushë, e vetmja gjë për të cilën punoj është që të mos futem në panik dhe të mundohem të luaj futbollin që unë di. Nuk më intereson se çfarë të tjerët mendojnë dhe e vetmja gjë që shqetësohem, është fokusimi te loja.
Cili është idhulli juaj?
Të jem i sinqertë, jam rritur duke parë Marcelon e Real Madridit dhe gjithmonë e kam konsideruar atë si një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë dhe një nga lojtarët që unë përpiqem të ndjek si model.
Më humoristët e skuadrës?
Siç e dini, Shanqeti, Aboud, Sagur. Këta të tre lojtarët mendoj se janë ata që bëjnë më shumë shaka në ekip.
Si është ekipi dhe cilat ndeshje do të veçoni?
Në opinionin tim, ne kemi disa nga futbollistët më të mirë që luajnë në Arabi. Ndeshjet më të bukura janë ato derbi, kundër Al Ahli apo Al Nassr, edhe për faktin se kemi fituar, por kanë qenë edhe përballje ku unë kam luajtur mirë.
Lojtari më i mirë që keni luajtur?
Karim Benzema. Është një njeri që vepron njësoj me të gjithë. Ai mundohet që t’i ndihmojë të gjithë dhe është shumë e bukur që të kesh dikë si ai në skuadër.
Formacioni juaj i ëndrrave?
Në portë do të thosha Noyer. Në mbrojtje nga qendra do të thosha Pique dhe Ramos. Mbrojtësi i djathtë Dani Alves, ndërsa majtas Marcelo. Në mesfushë do të vendosja, Xavi-Iniesta dhe Messin si numër 10. Në krah të majtë do të fusja Neymar, djathtas Salah dhe në sulm Cristiano Ronaldo.
Pa Marion?
Duhet të rritem ende. Të luaj edhe për disa vite që të fus veten time aty. Mund te them se dashuria që mora nga njerëzit kur firmosa, sidomos në stadium apo edhe jashtë. Një pritje shumë e mirë, kur njerëzit të shikojnë dhe të trajtojnë me respekt.
Pozicioni ku ndihesh më mirë?
Mendoj se pozicioni ku ndihem më i sigurt dhe luaj më mirë është si mbrojtës i majtë, sepse them se e njoh këtë rol shumë mirë dhe aty mund të jap maksimumin tim", tha Mario Mitaj.
Mbrojtësi është pikë fikse edhe për Kombëtaren, ndërsa Al Ittihad pagoi pak javë më parë kartonin e tij dhe e bleu përfundimisht nga Lokomotiva e Moskës.
Komente
