Al Ittihad u shpall fitues i Arabisë Saudite në Ligën Profesioniste në futboll. Pjesë e këtij ekipi është edhe Mario Mitaj, mbrojtësi i Kombëtares që bëhet shqiptari i parë që shijon një sukses të tillë në këtë vend.
Mitaj u bashkua në janar me klubin ku luajnë Benzema apo Kante dhe menjëherë fitoi vendin e titullarit duke luajtur në 21 takime, për të shënuar edhe një gol. Klubi verdhezi e siguroi trofeun dy javë para fundit të sezonit, por e festoi atë në fund të kampionatit.
Stadiumi "King Abdullah" ishte i mbushur plot për festën e titullit, teksa Mitaj ishte veshur kuqezi me flamurin mbi shpinë.
“Titulli i parë. Një falenderim të madh për shokët e mi të skuadrës, stafit teknik, atij mjekësor dhe sigurisht juve, tifozë, që na mbështetët përgjatë gjithë sezonit”, shkroi Mitaj në rrjetet sociale.
Al-Ittihad tani ka si objektiv të realizojë dopietë titujsh, ndërsa të premten do të përballet në finalen e Kupës së Mbretit me Al-Kadisiah.
Komente
