Ekonomi

Marka VS “fake”! Biznesi pro nismës: Prodhuesit vendas u dëmtuan nga falsiteti, të mos lejohet importi i imitimeve

5 Mars, 15:58| Përditesimi: 5 Mars, 16:20

  • Share

Prodhuesit vendas apo ata që kanë një markë e kanë humbur prej vitesh betejën me tregtarët që shesin produkte false. Një nga industritë që përballet me imitimet më të mëdha dhe mos respektimin e të drejtës së pronësisë intelektuale, është ajo e veshjeve. Florjan Zekja përfaqësues i sektorit të manifakturës thotë se prodhuesit shqiptarë të veshjeve vijojnë të dëmtohen nga imituesit e markave.

“Konkurrenca e pandershme ju vjen prodhuesve shqiptar që kanë marka të regjistruara pranë organeve tatimore, që mundohen të nxjerrin një produkt të mirë, dhe në finale përballen me një produkt fals dhe normalisht konsumatori zgjedh shpesh atë markën false. Është një luftë e humbur për biznesin shqiptar”, pohon Zekja.

Për këtë arsye bizneset e mirëpresin nismën e qeverisë për të ndaluar tregtimin e produkteve të falsifikuar, që i përkasin markave të njohura vendase apo të huaja.

“Është një nismë e kërkuar me kohë nga biznesi i manifakturës pasi shumë prodhues përballen me konkurrencë të padrejtë në treg, konkurrencë që nuk është as në favor të biznesit prodhues por as në favor të qytetarëve. Ne e mirëpresim këtë nismë”, shprehet Florjan Zekja i biznesit të manifakturës.

Florjan Zekja përfaqësues i sektorit të manifakturës thotë se edhe pse nisma është e plotë, duhet që institucionet ta zbatojnë në mënyrë që të bllokohen importi i veshjeve që janë imitime, por që kanë mbushur tregjet tona me çmime të lira e pa cilësi.

“I gjithë problemi mbetet tek zbatimi. Nëse ky ligj me miratimin në parlament ka vullnet nga tatimet dhe doganat, për të pastruar tregun shqiptar nga mallrat false atëherë mund të themi që ka një fije shprese për prodhuesit shqiptar”, thotë Zekja.

Bazuar në projektligjin ‘Për Markat Tregtare’ që është tashmë në Kuvend, të gjithë tregtarët që imitojnë markat e njohura do të paditen nga pronarët e ligjshëm dhe do u sekuestrohet malli. Madje pronari i markës ka të drejtën edhe të dëmshpërblimit për dëmet që mund t’i jenë shkaktuar si rezultat i përdorimit të paautorizuar të markës së tij nga tregtare abuzivë.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?