Marrëveshja e emigrantëve/ Tre deputetë të opozitës italiane vizitojnë Gjadrin: Qeveria Meloni po shpërdoron taksat, këtu duket si burg

9 Nëntor, 13:56| Përditesimi: 9 Nëntor, 14:52

  • Share

Lezhë- Një ditë pas mbërritjes së 6 emigrantëve në kampin e Gjadrit, në kuadër të marrëveshjes Shqipëri-Itali dhe paktit Meloni-Rama, kjo strukture është vizituar sot (9 nëntor) nga tre deputetë të opozitës italiane.

Në grupin e deputetëve ishin Rachele Scarpa dhe Andrea Casu, i Partisë Demokratike dhe Alfonso Collucci i “Lëvizja 5 Yjet”.

Deputetët opozitarë me qeverinë “Meloni”, hynë në ambientet e kampit dhe kërkuan që të vizitonin emigrantët që erdhën me anijen “Libra” të premten. Në port zbritën 8 emigrantë, por pas verifikimeve në qendrën e Shëngjinit, u kthyen pas 2 prej tyre sipas autoriteteve.

Deputeti Alfonso Collucci i “Lëvizja 5 Yjet” hodhi akuza të forta ndaj qeverisë Meloni për shpërdorim të taksave të qytetarëve italianë, ndërsa e cilësoi kampin e Gjadrit si një burg.

Ndërkohë deputetja Rachele Scarpa, e Partisë Demokratike në Itali, tha se një nga emigrantët e kthyer mbrapsht kishte pasur probleme psikike, ndërsa pyeti se si ishte e mundur që ai ishte nisur nga Italia në atë gjendje.

Prononcimet e deputetëve italianë:

Alfonso Collucci:

“Donim t’i takonim dhe besoj se sot pasdite do jetë e mundur. Jemi në një zonë militare, jemi këtu jashtë dhe kemi këto mure tepër të larta. E vetmja gjë pozitive që shoh këtu në kamp janë operatorët e shumtë të policisë, që përcjellin këtu brenda na kamp jo vetëm profesionalizimin, por edhe humanizmin e Italisë. Këtu të duket sikur je jashtë humanizmit. Të mendosh që këto struktura do kushtojnë 800 milionë euro në 5 vite, shto edhe kostot e mirëmbajtjes, dhe 9 milionë euro vetëm për transportin. Për këtë të vjen keq, taksat e italianëve po harxhohen dhe nuk po investohen në Itali për shërbimin e sigurisë në vend, për qytetarët e Italisë. Të vjen keq vërtet, sepse këtu duket më shumë si një mbajtje në burg e këtyre personave, sepse ju kujtoj që e thotë edhe protokolli shqiptar, që këta persona nuk mund të dalin. Pra kemi një formë të rëndë të mbajtjes tyre të mbyllur. Këtu gjithçka është e ndërtuar nga zero dhe ka ende për të ndërtuar dhe kjo të jep idenë se qeveria Meloni hedh paratë e italianëve nga dritarja”.

Rachele Scarpa:

“Për momentin nuk kemi arritur ende të flasim me emigrantët e mbërritur në kamp, sepse janë duke u zhvilluar dëgjesat me kontrolluesit e territorit. Zbuluam nacionalitetin dhe gjendjen e personit që dje u kthye sërish në Itali dhe bëhet fjalë për një egjiptian. Kishte problem psikiatrike dhe u kthye mbrapsht. Këtu pyesim se si ishte e pamundur mos të vihej re kjo gjë gjatë procesit screening (verifikimi), para se të hipte në anije. Do të futemi brenda besoj sot pasdite, sapo të jenë mbyllur kontrollet e plota dhe të kuptojmë pak më shumë për historinë e tyre”.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?