Marrëveshja e Kadastrës me Dhomën e Noterisë, dokumentet e pronësisë brenda 48 orëve! Noterit i njihet vula elektronike për 8 shërbime pronësie

15 Tetor 2022, 13:01| Përditesimi: 15 Tetor 2022, 14:56

  • Share

Një marrëveshje e nënshkruar mes Dhomës së Noterëve dhe Agjencisë Shqiptare të Kadastrës, do të bëjë që qytetarët t’i përfundojnë dokumentet e pronësisë brenda 48 orësh, përmes vulës elektronike të noterëve. Për Kreun e Agjencisë së Kadastrës Shqiptare, Artan Lame, marrëveshja synon marrjen pa vonesa të shërbimit tek noteri.

Në fjalën e tij Lame tha se “marrëveshja e firmosur para dy vjetësh midis nesh, hodhi bazat e bashkëpunimit midis dy institucioneve, duke mbetur sidoqoftë në nivelin e drejtimeve që do të ecnim për të ardhmen. Për më tepër, në këto dy vjet, Qeveria Shqiptare implementoi reformën e dixhitalizimit të shërbimeve, reformë në të cilën shërbimet e Pronësisë përbëjnë një nga shtyllat kryesore”.

“Kjo kërkoi që Kadastra të rishikonte gjithë sistemin e marrëdhënieve me aktorët e bashkëpunimit ku shërbimi i Noterisë është një prej aktorëve kryesorë. Theksoj këtu që, prej Mesjetës prona ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me Noterinë. Mjafton këtu të kujtoj që ne sot dimë se ku kishte blerë një banesë Skënderbeu në Venecie, sepse ekziston dokumenti noterial i kësaj kontrate; por nuk dimë se ku banonte në Krujë, sepse nga noteri i Krujës nuk na ka mbetur asgjë. E them këtë, jo për t’i bërë reklamë noterisë, sepse ky shërbim ka ende shumë mangësi, ashtu sikundër edhe Kadastra ka shumë mangësi, por për të theksuar që prona pa një shërbim noterial profesional, të avancuar dhe modernizuar, nuk garantohet dot”, nënvizoi Lame.

Lame u shpreh se “sot, në epokën dixhitale, pjesa kyçe e këtij modernizimi, qëndron në marrëdhëniet dixhitale midis dy institucioneve tona. Pikërisht gjithë këtë ngrehinë e bën funksionale protokolli teknik që po firmosim sot”.

Sipas Lames, të gjitha operacionet pronësore që kërkojnë praninë e noterit, tashmë do të kryhen në kohë reale, përmes firmosjes elektronike të noterëve.

Kjo gjë do të shkurtojë në mënyrë drastike kohën e operacioneve, pasi dokumentacioni pronësor tashmë do të përcillet nga noteri drejt Kadastrës në rrugë elektronike.

“Në mënyrë fundore ka një qëllim të vetëm, marrjes në kohë reale të shërbimit nga ana e qytetarëve, duke shmangur ecejaket Qytetar – Noter, Noter – Postë, Postë – Kadastër, Kadastër – Postë, Postë – Noter, e plot të tjera, pa shtuar këtu xhiron nëpër Banka për të paguar faturat. Dhe e gjitha, do të bëjë të mundur pajisjen me shërbimin e kërkuar brenda 48 orëve nga konfirmimi i pagesës për aplikimin e kërkuar”, tha Lame.

Lame bëri të ditur se “që për vitin 2021, u lëvruan nga Kadastra rreth 1,52 milion shërbime, prej të cilave 50% e tyre u aplikuan përmes noterëve. Kjo gjë flet nga njëra anë për rëndësinë e shërbimit noterial në shërbimet e dhëna; dhe, nga ana tjetër, për ndërgjegjësimin e popullsisë në rëndësinë dhe rolin e noterisë kur kryhen transaksione me pronën”.

“Këto janë 8 shërbimet e para, por kësaj liste sipas tempistikës së parashikuar nga Protokolli, do t’i shtohen njëri pas tjetrit edhe shërbime të tjera në vijim. Siguria e të gjithë këtij ndërveprimi, do të garantohet nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit (e-albania), duke bërë autentifikimin dhe certifikimin e aplikimeve që shkëmbehen ndërmjet tyre”, shtoi Lame.

Ajo që po ndodh aktualisht me shërbimet “on line”, vijoi Lame, është epokale si reformë dhe, që prej një viti që kemi filluar implementimin, po ndryshon si nata me ditën shpejtësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushi theksoi se “nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve”.

“Jam besimplotë për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshje dhe i uroj suksese noterëve dhe punonjësve të Kadastrës”, tha Sadushi.

Llojet e shërbimeve që, nga e hëna, do të ofrohen përmes nënshkrimit elektronik në noterëve: Regjistrim i kontratës së shitjes; Regjistrimi i kontratës së dhurimit;Regjistrimi i deklaratës për heqje dorë nga pronësia; Regjistrim i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës për kredi me vlerë deri në 1.000.000 lekë.

Llojet e shërbimeve që, nga e hëna, do të ofrohen përmes nënshkrimit elektronik në noterëve:

1. Regjistrim i kontratës së shitjes

2. Regjistrimi i kontratës së dhurimit

3. Regjistrimi i deklaratës për heqje dorë nga pronësia

4. Regjistrim i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës për kredi me vlerë deri në 1.000.000 lekë.

5. Regjistrim i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës për kredi me vlerë me vlerë nga 1 milion deri 10 milion lekë.

6. Regjistrim i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës për kredi me vlerë mbi 10 000.000 lekë.

7. Pasqyrim i bashkëpronësisë bashkëshortore në regjistrimet e mëparshme.

8. Regjistrimi i kontratave të shitjes, dhurimit, me rezerve / kusht të pasurisë së paluajtshme.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?