Foto ilustruese

Marrëveshja e pensioneve me Italinë për 500 mijë shqiptarë, miratohet në Komisionet e Politikës së Jashtme në dy dhomat e Parlamentit italian, pritet miratimi në seancë plenare

3 Tetor, 19:26| Përditesimi: 3 Tetor, 21:37

  • Share

Një tjetër lajm i mirë për shqiptarët që kanë jetuar dhe punuar në Itali.

Deputeti socialist Etjen Xhafaj njoftoi sot (3 Tetor) se mbi 500 qytetarë shqiptarë janë një hap më afër përfitimit të pensionit, sipas marrëveshjes së firmosur mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, muaj më parë.

Ligjvënësi e bëri njoftimin nëpërmjet rrjetit social Facebook, duke theksuar se “komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali kanë miratuar marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për dhënien e fondeve përkatëse”.

Sipas tij, ky është hapi i fundit dhe se tani mbetet votimi në seancë plenare, për këtë marrëveshje që prek me mijëra shqiptarë.

Postimi i Etjen Xhafajt:

“Dje ka kaluar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, marrëveshja e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse. Hapi i fundit mbetet votimi në seancë plenare për këtë marrëveshje, që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë. Falënderime për të gjithë ata nga pala italiane e shqiptaro-italiane që janë përfshirë në këtë marrëveshje që në gjenezë të saj!”.

Marrëveshja në fjalë është miratuar nga Parlamenti shqiptar dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Objekti i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë, sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrë-lindjet dhe sigurimin e papunësinë.

Janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri.

Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.

Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë rënë dakord për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria është në proces të përparuar për marrje miratimit për fillimin e negociatave me Francën.

Postimi i deputetit Etjen Xhafaj

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?