Bota

Marrëveshja Izrael-Hamas/ Beqja: E vështirë të thuash se kemi mbërritur në paqe! Arapi: Pakti u projektua nga Trump dhe Erdogan në OKB (VIDEO)

9 Tetor, 16:19| Përditesimi: 9 Tetor, 16:31

  • Share

Arritja e një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit, për fazën e parë të planit të paqes në Rripin e Gazës, ka rritur optimizmin për dhënien fund të konfliktit të përgjakshëm, i cili vetëm dy vitet e fundit i ka marrë jetën mbi 67 mijë palestinezëve.

Pedagogu Mentor Beqa dhe aktivisti Florian Arapi, gjatë një prononcimi për Report Tv, në emisionin ‘Bota Report’, të moderuar nga Denis Minga, kanë deklaruar se kjo marrëveshje, vijon që të jetë e brishtë.

Beqja tha se konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, është proces i gjatë, dhe  është e vështirë të thuash se kemi mbërritur drejtë paqes. Sipas tij, historia ka treguar, se marrëveshjet mes Hamasit dhe Izraelit kanë dështuar.

“Mbyllja e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, është proces i gjatë, dhe  është e vështirë të thuash se kemi mbërritur drejt paqes, pasi duhen hedhur sytë drejtë historisë. Ne kemi pasur marrëveshjen e Oslos, ku pretendoheshe se do t’i jepeshe fund konfliktit me krijimin e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës dhe njohjes reciproke. Pastaj kemi Kamp Dajvid me Bill Clinton, e cila ishte shumë afër zgjidhjes finale dhe dështoi”, u shpreh Beqa në Report TV.

Më tej Beqa ka deklaruar se sulmi mbi Doha, ishte gabimi fatal i Izraelit, që sipas tij ‘tërboi’ aleatët dhe shtetet e tjera.

“Presioni që ka ushtruar Trump mbi aleatin e tij politik Netanjahu, është me të vërtetë për tu përshëndetur. Natyrisht që në këtë moment kemi mbërritur nga një arrogancë e tepruar e Izraelit. Ajo që Izraeli bëri në Doha, ishte fatale, pasi kaloi çdo limit dhe kufi, Kjo tërboi SHBA dhe të gjithë të tjerët”, u shpreh ai.

Ndërsa aktivisti Florian Arapi theksoi në deklaratën e tij se marrëveshja është rënë dakord parimisht, por është e vështirë të përcaktohet në terren. Sipas tij Izraeli kërkon që të tërhiqet vetëm nga 47% e territorit të Gazës, ndërsa në marrëveshje është 70%.

“Sipas asaj që është nënshkruar në marrëveshje, Izraeli duhet të tërhiqet nga 70% e territorit, Megjithatë ne sapo zbuluam se Izraeli ka pranuar që të tërhiqet vetëm nga 47% e territorit. Në marrëveshje është rënë dakord parimisht, por në detaje është e vështirë që të përcaktohet në terren. Izraeli kërkon që të mbajë sa më shumë territor, nga ana tjetër Hamasi kërkon të kundërtën. Unë mendoj se nëse Izraeli tërhiqet nga kjo marrëveshje, nuk është rritur asgjë”, u shpreh ai.

Më tej Arapi tha se futja e Turqisë në marrëveshje, tregon besueshmëri se kjo marrëveshje do të jetë e qëndrueshme.

“Futja e Turqisë në këtë marrëveshje, është e rëndësishme. Duhet që të besohet se kjo marrëveshje do të jetë e qëndrueshme dhe do të jetë e vazhdueshme. Ne e pamë, që kjo marrëveshje u projektua në zyrat e OKB-se nga Trump edhe Erdogan dhe shtetet e botës arabe. Mesa duket kjo prodhoi edhe këtë marrëveshje”, tha Arapi në Report Tv.

A.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?